Rusia dënon me burgim të gjatë një ushtar për dezertim dhe dorëzim vullnetar në Ukrainë
Një gjykatë ushtarake ruse të martën dënoi një ushtar me 15 vite burgim për dezertim dhe dorëzim vullnetar në Ukrainë, rasti i parë i tillë penal në Rusi, raportoi gazeta “Kommersant”.
Në shtatorin e vitit 2022, Rusia e bëri krim dorëzimin vullnetar, për të cilin një i akuzuar mund të dënohet me tre deri në dhjetë vjet burgim, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sipas gazetës “Kommersant”, një gjykatë në ishullin lindor rus, Sakhalin, e shpalli ushtarin Roman Ivanishin fajtor për dorëzim vullnetar, dorëzim vullnetar në tentativë dhe dezertim.
Ivanishini, për të cilin raportohet se i ka mohuar të gjitha akuzat, do ta vuajë dënimin në një burg me siguri maksimale. Gjykimi i tij u zhvillua prapa dyerve të mbyllura.
Gazeta ruse raportoi se Ivanishini, minator në Sakhalin në jetën civile, të cilin mediat lokale e përshkruan si veteran të luftërave të Rusisë në Çeçeni, ishte mobilizuar më 2022 dhe kishte luftuar në rajonin lindor Donetsk të Ukrainës.
Ai ishte kapur nga ushtarët ukrainas në qershorin e vitit 2023 dhe, në një video të publikuar në internet, ishte shfaqur duke e kundërshtuar fushatën ushtarake të Rusisë në Ukrainë dhe duke u bërë thirrje edhe ushtarëve të tjerë që të dezertonin.
Nuk ishte e qartë nga raporti i gazetës “Kommersant” nëse ushtari kishte qenë duke folur nën detyrim në video. Raportohet se ekipi mbrojtës i tij e ka kërkuar lirimin nga akuzat, duke thënë se nuk ekzistojnë dëshmi se ai ka kryer ndonjë krim.
Ivanishini u kthye në Rusi përmes këmbimit të të burgosurve në janarin e vitit 2024 dhe ishte vënë nën hetim, raportoi gazeta “Kommersant”./Nacionale