Rusia bën thirrje për kujdes rreth retorikës bërthamore pas urdhrit të Trumpit për zhvendosje nëndetësesh
Rusia tha të hënën se të gjithë duhet të jenë “shumë, shumë të kujdesshëm” rreth retorikës bërthamore, duke iu përgjigjur një deklarate të presidentit amerikan, Donald Trump, në të cilën tregoi se e kishte urdhëruar ripozicionimin e nëndetëseve bërthamore të ShBA-së.
Në reagimin e parë publik ndaj komenteve të Trumpit, Kremlini e minimizoi peshën e tyre dhe tha se nuk synon që të hyjë në një grindje publike me presidentin amerikan, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Trumpi tha të premten se kishte dhënë urdhër që dy nëndetëse bërthamore të vendoseshin “në rajonet e duhura” si kundërpërgjigje ndaj komenteve të ish-presidentit rus, Dmitry Medvedev, për rrezikun e një lufte mes armiqve që kanë armë bërthamore.
“Në këtë rast, është e qartë se nëndetëset amerikane janë tashmë në detyrë luftarake. Ky është një proces i vazhdueshëm, kjo është gjëja e parë” – iu tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Por në përgjithësi, natyrisht, ne nuk do të donim të përfshiheshim në një kundërthënie të tillë dhe nuk do të donim ta komentonim këtë në ndonjë mënyrë. Natyrisht, ne besojmë se secili duhet të jetë shumë, shumë i kujdesshëm me retorikën bërthamore” – shtoi ai.
Trumpi ka kërcënuar se do t’u vendosë sanksione të reja Rusisë dhe blerësve të naftës së saj, përfshirë Indinë dhe Kinën, nëse presidenti rus, Vladimir Putin, nuk pajtohet deri të premten e kësaj jave që t’i japë fund luftës me Ukrainën.
Putini tha javën e kaluar se në bisedimet e paqes është shënuar ca progres, por se Rusia e ka momentumin në luftë, duke sinjalizuar se nuk ka ndryshime në pozicionin e tij pavarësisht afrimit të afatit të caktuar nga homologu amerikan.
Trumpi ka thënë se mund ta dërgojë emisarin e tij, Steve Witkoff, në Rusi të mërkurën ose të enjten. Emisari ka zhvilluar biseda të gjata me Putinin gjatë vizitave në të kaluarën, por ka dështuar që ta bindë presidentin rus për armëpushim.
Kremlini nuk tregoi nëse udhëtimi i ri i propozuar i emisarit amerikan po ndodh me kërkesën e Moskës dhe nuk tregoi se çfarë shpreson se do të dalë nga takimi./Nacionale