Rusia arreston një francez të dyshuar për mbledhje të inteligjencës ushtarake - NACIONALE

Rusia arreston një francez të dyshuar për mbledhje të inteligjencës ushtarake

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Hetuesit rusë thanë të enjten se kishin ndaluar një qytetar francez nën dyshimin për grumbullim të të dhënave për aktivitete të ushtrisë ruse.

Komiteti Hetues i Rusisë tha se burri i ndaluar dyshohet se, për një periudhë disavjeçare, “qëllimisht ka grumbulluar të dhëna në fushën e aktiviteteve ushtarake dhe ushtarako-teknike të Federatës Ruse”, raporton agjencia “Reuters”.

“Këto të dhëna, kur sigurohen nga burime të huaja, mund të përdoren kundër sigurisë së shtetit. Për këto qëllime, ai në mënyrë të përsëritur e vizitoi territorin e Rusisë, përfshirë qytetin e Moskës, ku mbajti takime me qytetarë të Federatës Ruse” – thuhet në deklaratën e Komitetit Hetues.

Hetuesit thanë se ky person, të cilin nuk e identifikuan, së shpejti do të ngarkohet me akuzën për dështim të regjistrimit si “agjent i huaj” sipas ligjit rus, që bart dënim me deri në pesë vite burgim.

Nuk pati menjëherë koment në dispozicion nga Ministria e Jashtme e Francës në Paris për këtë rast.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, TASS, e identifikoi francezin e arrestuar si punëtor të Qendrës për Dialog Humanitar, organizatë jofitimprurëse me seli në Zvicër, në uebfaqen e së cilës thuhet se ka operuar nga viti 1999 për të ndihmuar në “parandalimin, zbutjen dhe zgjidhjen e konflikteve të armatosura përmes dialogut dhe ndërmjetësimit” në shtete si Spanja, Filipinet dhe Libia.

Organizata zvicerane nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për të konfirmuar se burri i arrestuar është punëtor i saj. Nuk qe menjëherë e qartë nëse organizata ka operacione ose staf në Rusi.

Në një video të shkurtër, që u publikua nga Komiteti Hetues, shihet një burrë në xhinse dhe maicë të zezë duke u arrestuar në një restorant nga zyrtarë të sigurisë me maska në fytyrë, duke u shoqëruar drejt një furgoni dhe pastaj duke u futur në një ndërtesë. Fytyra e të dyshuarit në video ishte hijezuar.

Agjencia “Reuters” arriti që të vërtetonte se lokali i paraqitur në video është kafeneja “Akademia”, që ndodhet në pjesën qendrore të Moskës.

Lajme të ngjashme