Rusët avancuan në Ukrainë me ritmin më të shpejtë mujor që nga fillimi i luftës, thonë analistët - NACIONALE

Rusët avancuan në Ukrainë me ritmin më të shpejtë mujor që nga fillimi i luftës, thonë analistët

1 vit më parë

nga NACIONALE

Forcat ruse janë duke avancuar në Ukrainë me ritmin më të shpejtë që nga ditët e hershme të luftës më 2022, duke marrë nën kontroll një zonë sa gjysma e Londrës së Madhe gjatë muajit të kaluar, thonë analistët dhe blogerët e luftës.

“Rusia ka vendosur rekorde të reja javore e mujore për madhësinë e territorit të pushtuar në Ukrainë” – thuhet në një raport të grupit të pavarur rus të lajmeve, “Agentstvo”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ushtria ruse kapi gati 235 kilometra katrorë në Ukrainë gjatë javës së kaluar, rekord javor për vitin 2024, thuhet në këtë raport.

Aty shtohet se forcat ruse kishin marrë 600 kilometra katrorë në nëntor, duke cituar të dhëna nga grupi “DeepState”, që ka lidhje të ngushta me ushtrinë ukrainase dhe që i studion pamjet e luftimeve dhe ofron harta të vijës së frontit.

Rusia filloi që të avanconte në lindje të Ukrainës në korrik, në periudhën kur forcat ukrainase arritën të të kapnin një pjesë të rajonit rus të Kurskut. Që nga ajo kohë, avancimi rus është përshpejtuar, sipas hartave me burim të hapur.

Forcat ruse janë duke lëvizur drejt qytezës Kurakhove, zonë kyçe drejt qendrës logjistike të Pokrovskut në Donetsk, dhe kanë qenë duke i shfrytëzuar pikat e dobëta të trupave ukrainase përgjatë vijës së frontit, thonë analistët.

“Forcat ruse rishtazi kanë qenë duke avancuar me një ritëm në masë të konsiderueshme më të shpejtë sesa në tërësinë e vitit 2023” – thanë në një raport analistët e Institutit për Studime të Luftës me seli në Uashington.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha në një përditësim të hënën se 45 beteja me nivele të ndryshme intensiteti po zhvilloheshin përgjatë pjesës së vijës së frontit në Kurakhove atë mbrëmje.

Në raportin e Institutit për Studimin e Luftës dhe blogerët ushtarakë pro-rusë thonë se trupat ruse ndodhen në Kurakhove. Kanali “DeepState” tha në rrjetin “Telegram” të hënën se trupat ruse janë afër Kurakhove-s.

“Avancimet e forcave ruse në juglindje të Ukrainës janë kryesisht rezultat i zbulimit dhe shfrytëzimit taktik të pikave të dobëta në vijat e Ukrainës” – thuhet në raportin e analistëve të Institutit për Studimin e Luftës.

Rusia thotë se do t’i arrijë të gjitha qëllimet e luftës në Ukrainë pavarësisht se çfarë bën ose çfarë thotë Perëndimi.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë në mënyrë të përsëritur se paqja nuk mund të arrihet derisa të gjitha forcat ruse të dëbohen dhe i tërë territori i pushtuar nga rusët, përfshirë Gadishullin e Krimesë, t’i rikthehet Ukrainës./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme