Rubio thotë se vendet e NATO-s do të pajtohen për 5 për qind shpenzime të mbrojtjes
Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, tha të enjten se të gjitha vendet e NATO-s do të pajtohen që t’i rrisin shpenzimet e mbrojtjes në nivelin prej 5 për qind të prodhimit vendës bruto (GDP) gjatë dekadës së ardhshme deri në kohën kur të fillojë samiti i aleancës në qershor.
Kryediplomati amerikan i bëri këto komente në emisionin “Hannity” të televizionit “Fox News”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Presidenti amerikan, Donald Trump, i kishte zvogëluar fondet e mbrojtjes për NATO-n gjatë pjesës së dytë të mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë në periudhën 2017 – 2021 dhe shpesh është ankuar se vendi i tij po paguan më shumë sesa i takon.
“Mund të ju them se jemi drejt një samiti brenda gjashtë javëve, në të cilin pothuajse secili vend anëtar i NATO-s do të jetë në 2 për qind ose mbi të, por më e rëndësishmja, shumë prej tyre do të jenë mbi 4 për qind dhe të gjithë do të pajtohen rreth qëllimit për të arritur në 5 për qind gjatë dekadës së ardhshme” – tha Rubio.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, tha këtë javë se Berlini e mbështet kërkesën e Trumpit që vendet anëtare të NATO-s t’i çojnë shpenzimet e mbrojtjes në 5 për qind të prodhimit vendës bruto.
Gjermania tha në janar se e ka arritur cakun e NATO-s për të ndarë 2 për qind të GDP-së në mbrojtje vitin e kaluar.
Samiti i NATO-s këtë vit do të mbahet në Holandë më 24 dhe 25 qershor./Nacionale