Rubio thotë se ShBA-ja s’po brengoset për përshkallëzimin me Rusinë për Venezuelën - NACIONALE

Rubio thotë se ShBA-ja s’po brengoset për përshkallëzimin me Rusinë për Venezuelën

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, tha para gazetarëve të premten se vendi i tij nuk është i brengosur për një përshkallëzim me Rusinë, kur bëhet fjalë për Venezuelën, në kohën kur administrata e presidentit Donald Trump, po i shton forcat ushtarake në Karaibe.

Administrata amerikane ka dërguar mijëra trupa në rajon, bashkë me një aeroplanmbajtëse, luftanije e aeroplanë luftarakë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ne nuk jemi të shqetësuar për një eskalim me Rusinë, sa i përket Venezuelës. Ne gjithmonë kemi pritur që ata [rusët] të ofrojnë mbështetje retorike për regjimin e Maduros… [por] ky nuk është factor në atë se si ne e konsiderojmë tërë këtë gjë” – deklaroi kryediplomati amerikan.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha të enjten se shpresonte që administrata e Trumpit nuk do të bënte një gabim fatal rreth Venezuelës dhe tha se Moska ishte e shqetësuar për vendimet e ShBA-së që e kërcënojnë transportin detar ndërkombëtar.

Përderisa Venezuela dhe Rusian kanë lidhje të ngushta, në një dokument strategjie të publikuar rishtazi nga Trumpi thuhej se Shtetet e Bashkuara do ta rivendosin mbizotërimin e tyre në Hemisferën Perëndimore dhe argumentohej se ShBA-ja duhet ta ringjallë Doktrinën e Monroe-s, e cila deklaronte se Hemisfera Perëndimore është zonë ndikimi e Uashingtonit.

Administrata e Trumpit gjithashtu ka kryer sulme kundër barkave të dyshimta të drogës në rajon, ka sekuestruar një anije të sanksionuar transportuese të naftës afër bregdetit të Venezuelës dhe ka shpallur një bllokadë ndaj të gjitha anijeve transportuese të naftës që hyjnë dhe dalin nga ky shtet.

Presidenti amerikan gjithashtu në mënyrë të përsëritur ka paralajmëruar se sulmet tokësore në Venezuelë do të pasojnë së shpejti.

Ligjvënësit e Partisë Demokratike në opozitë në Uashington kanë thënë se administrata e Trumpi ka ofruar të dhëna të kufizuara rreth operacioneve në rajon.

“Asgjë nuk ka ndodhur që kërkon nga ne ta njoftojmë Kongresin ose të marrim miratim nga Kongresi ose që e kalon pragun drejt luftës” – tha Rubio./Nacionale

Lajme të ngjashme