Rubio i ShBA-së thotë se Irani duhet të tërhiqet nga tërë pasurimi i uraniumit - NACIONALE

Rubio i ShBA-së thotë se Irani duhet të tërhiqet nga tërë pasurimi i uraniumit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Irani duhet të tërhiqet nga pasurimi i uraniumit dhe zhvillimi i raketave me rreze të gjatë veprimi dhe duhet t’i lejojë inspektorët amerikanë në qendrat e tij, tha të enjten sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, përderisa një rund i bisedimeve bërthamore u shty.

Komentet e kryediplomatit amerikan i nënvizojnë dallimet e mëdha që mbeten në bisedimet mes vendeve për ta zgjidhur mosmarrëveshjen e gjatë për programin bërthamor të Iranit. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar me bombardim të Iranit, nëse nuk ka marrëveshje, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ata duhet të tërhiqen nga sponsorizimi i terroristëve, ata duhet të tërhiqen nga ndihma për Houthit (në Jemen), duhet të tërhiqen nga ndërtimi i raketave me rreze të gjatë që nuk kanë arsye tjetër për të ekzistuar, pos për të pasur armë bërthamore, dhe duhet të tërhiqen nga pasurimi (i uraniumit)” – tha Rubio në një intervistë me televizionin “Fox News”.

Irani ka thënë në mënyrë të përsëritur se nuk do të heqë dorë nga programi i vet raketor ose nga pasurimi i uraniumit – proces që përdoret për të prodhuar karburant për qendrat e energjisë bërthamore, por me të cilin gjithashtu mund të sigurohet material për një kokë bërthamore.

Të enjten, një zyrtar i lartë iranian i tha agjencisë “Reuters” se rundi i katërt i bisedimeve, i cili ishte planifikuar të mbahej në Romë të shtunën, është shtyrë dhe se një datë e re do të caktohet “varësisht nga qasja e ShBA-së”.

Rubio tha se Irani duhet të importojë uranium të pasuruar për programin e vet bërthamor e jo ta pasurojë atë në asnjë nivel.

“Nëse e keni aftësinë për të pasuruar në 3,67 për qind, nevojiten vetëm disa javë që të arrihet niveli 20 për qind, pastaj 60 për qind dhe pastaj 80 e 90 për qind që ju nevojitet për një armë (bërthamore)” – tha ai.

Teherani ka thënë se ka të drejtë që të pasurojë uranium sipas kushteve të Traktatit për Mospasurim Bërthamor dhe mohon se synon të prodhojë bombë bërthamore./Nacionale

Lajme të ngjashme