Ruanda i konfirmon bisedimet me ShBA-në për të pranuar emigrantë - NACIONALE

Ruanda i konfirmon bisedimet me ShBA-në për të pranuar emigrantë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ruanda është në “fazën e hershme” të bisedimeve me administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, për të pranuar emigrantë të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara, tha ministri i Jashtëm i këtij shteti afrikan, Olivier Nduhungireh.

Komentet e tij vijnë pasi homologu amerikan, Marco Rubio, tha muajin e kaluar se Uashingtoni ishte “duke kërkuar aktivisht” shtete që do të pranonin në territoret e tyre “disa nga qeniet njerëzore më të neveritshme”, raporton televizioni BBC.

Kryediplomati ruandez tha se bisedimet “nuk janë të reja për ne”, pasi vendi i tij më parë është pajtuar që të pranojë emigrantë të dëbuar nga Britania e Madhe.

Megjithatë, Mbretëria e Bashkuar kishte hequr dorë nga skema, e cila ishte ballafaquar me shumë sfida ligjore, pasi një qeveri e re erdhi në pushtet në korrikun e kaluar.

Duke folur në televizionin publik të dielën, Nduhungireh tha se Qeveria është në “frymën” e dhënies së një “mundësie tjetër emigrantëve që kanë probleme në mbarë botën”.

Ministri afrikan shtoi se bisedimet me Shtetet e Bashkuara ishin duke vazhduar dhe se është shumë herët për ta parashikuar rezultatin e tyre.

Që nga ardhja në pushtet në janar, presidenti Trump është përqendruar në përshpejtimin e largimit të emigrantëve pa dokumente dhe ka premtuar “dëbime masive”.

Në shkurt të këtij viti, El Salvadori bëri ofertë që të pranonte kriminelë të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara, përshrirë ata që kanë shtetësi amerikane, dhe t’i vendoste në burgun e vet super të madh.

Presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, ka thënë se administrata e tij do të bënte një gjë të tillë “në këmbim të një tarife”./Nacionale

Lajme të ngjashme