Ruanda dhe Kongoja pajtohen për draftin e marrëveshjes së paqes - NACIONALE

Ruanda dhe Kongoja pajtohen për draftin e marrëveshjes së paqes

1 vit më parë

nga NACIONALE

Përfaqësues të Ruandës dhe Republikës Demokratike të Kongos kanë arritur një draft-marrëveshje që mund t’i japë fund një konflikti të gjatë me dekada.

Në marrëveshjen e arritur me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara dhe Katarit parashihen “mosangazhimi (në konflikt), çarmatosja dhe integrimi i kushtëzuar” i grupeve të armatosura që po luftojnë në Kongo, raporton televizioni BBC.

Në draft gjithashtu përfshihen dispozita për një mekanizëm të përbashkët të sigurisë për ta parandaluar shpërthimin e tensioneve të reja. Marrëveshja e paqes pritet të nënshkruhet formalisht javën e ardhshme.

Marrëveshja mund t’u hapë rrugë investimeve miliardëshe nga Perëndimi në rajonin e pasur me minerale, por që është goditur nga konflikti për tri dekada.

Sidoqoftë, analistët thonë se shumë pyetje ende mbeten pa përgjigje rreth përmbajtjes së marrëveshjes së paqes.

Departamenti i Shtetit i ShBA-së tha se ekipet teknike e kishin nisur tekstin e draftit të mërkurën, para një ceremonie formale të nënshkrimit të premten e ardhshme, ku do të marrë pjesë edhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio.

Në një deklaratë, Departamenti i Shtetit tha se marrëveshja u arrit gjatë tri ditëve të “dialogut konstruktiv në lidhje me interesat politike, ekonomike dhe të sigurisë” mes zyrtarëve të të dyja shteteve në Uashington.

Në fund të prillit, Ruanda dhe Kongoja nënshkruan një marrëveshje në Uashington, duke premtuar se do ta respektonin sovranitetin e njëri-tjetrit dhe do të dilnin me një draft të marrëveshjes së paqes brenda disa ditëve.

Konflikti i vjetër me dekada u përshkallëzua më herët këtë vit, kur rebelët e grupit M23 – të cilët besohet gjerësisht se përkrahen nga Ruanda – morën nën kontroll një pjesë të territorit lindor të Kongos./Nacionale

Lajme të ngjashme