RSF-ja thotë se e ka kapur qytetin El Fasher të Sudanit, frikë e madhe për civilët
Po shtohet frika për qindra mijëra civilë të ngujuar në qytetin El Fasher të Sudanit, pasi Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), forcë paramilitare që po lufton kundër ushtrisë sudaneze nga prilli i vitit 2023, tha se e kishte marrë nën kontroll këtë vendbanim, të cilin e ka mbajtur nën rrethim qe më shumë se një vit gjatë luftës civile.
RSF-ja tha të dielën se e kishte marrë kontrollin e bazës kryesore të ushtrisë në qytetin Darfur, ku vitin e kaluar ishte shpallur uria në një kamp për persona të zhvendosur. Më pas, grupi lëshoi një deklaratë në të cilën tha se e kishte “zgjeruar kontrollin mbi qytetin El Fasher nga duart e mercenarëve dhe grupeve militante”, shkruan gazeta “The Guardian”.
Rezistenca Popullore, një grup militant lokal pro ushtrisë, u kundërpërgjigj të dielën, duke thënë se ushtria ishte në “pozicione më të fortifikuara” dhe se banorët ende ishin “duke bërë rezistencë përballë grupeve militante terroriste”.
Shefi për çështje humanitare në OKB, Tom Fletcher, tha se ai ishte “thellësisht i alarmuar” nga raportimet se luftëtarët po depërtonin më thellë në qytet dhe po i bllokonin rrugët për ikje, duke bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm, qasje në ndihma humanitare dhe kalim të sigurt për civilët që duan të largohen.
Megjithatë, RSF-ja tha se është e përkushtuar për të ofruar “korridore të sigurta për të gjithë ata që duan të vendosen në zona të tjera, si dhe mbrojtjen e nevojshme për të gjithë njerëzit që ndodhen në qytet”.
Sudani është përçarë nga lufta civile nga pranvera e vitit 2023, kur lufta për pushtet mes ushtrisë dhe RSF-së u shndërrua në konflikt të hapur në kryeqytetin Khartoum dhe u përhap shpejt në mbarë vendin.
Sudani është përçarë nga lufta civile nga pranvera e vitit 2023, kur lufta për pushtet mes ushtrisë dhe RSF-së u shndërrua në konflikt të hapur në kryeqytetin Khartoum dhe u përhap shpejt në mbarë vendin.
Në përvjetorin e dytë të konfliktit, më shumë se 13 milionë njerëz ishin zhvendosur dhe gjysma e popullsisë 51-milionëshe kishin nevojë për ndihma.
Edhe pse ushtria sudaneze e rimori nën kontroll Khartoumin në marsin e këtij viti, duke u mundësuar shumë banorëve që të ktheheshin, luftimet kanë vazhduar në pjesët jugore dhe perëndimore të vendit. Në majin e vitit 2024, RSF-ja e vuri nën rrethim El Fasherin, qytet që shtrihet në rajonin perëndimor të Darfurit.
Në gusht, Kombet e Bashkuara thanë se më shumë se 600 mijë njerëz ishin larguar nga qyteti, ndërsa 260 mijë të tjerë të ngujuar atje kishin mbetur pa qasje në ndihma./Nacionale