Rritje tensionesh me Rusinë, Blinkeni udhëton në Evropën Lindore - NACIONALE

Rritje tensionesh me Rusinë, Blinkeni udhëton në Evropën Lindore

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, pritet të arrijë të mërkurën në kryeqytetin e Moldavisë, Çisinau, për të shkuar më vonë këtë javë në Pragë të Çekisë. Ai do të synojë që ta ngurtësojë përkrahjen perëndimore për Ukrainën në mesin e aleatëve të NATO-s dhe vendeve fqinje.

Udhëtimi i kryediplomatit amerikan vjen në kohën kur Ukraina po mundohet që t’i sprapsë sulmet e shpeshtuara ruse në lindje dhe kur presidenti rus, Vladimir Putin, po paralajmëron se lejimi i Kievit që të përdorë armë perëndimore për të goditur brenda territorit rus do të nxiste një konflikt global, raporton agjencia “Reuters”.

Në Çisinau, Blinkeni do të takohet me presidenten moldave, Maia Sandu, dhe zyrtarë të tjerë të lartë në kohën kur zyrtarë amerikanë thonë se Moldavia ballafaqohet me “operacione ndikimi” të Rusisë.

Diplomati më i lartë amerikan për Evropë në Departamentin e Shtetit, Jim O’Brien, u tha gazetarëve të premten se Shtetet e Bashkuara me gjasë do të njoftojnë një “pako të fuqishme” të mbështetjes për pavarësinë energjetike të Moldavisë, pa ofruar hollësi.

Ai shtoi se Uashingtoni nuk ka parë ndonjë rrezik të drejtpërdrejt ushtarak nga Rusia drejt rajonit separatist të Moldavisë, Transnistrisë.

Më vonë gjatë javës, Blinkeni do të udhëtojë në Pragë për të marrë pjesë në një takim joformal të ministrave të jashtëm të vendeve të NATO-s, ku diskutimet do të përqendrohen te avancimi i përgatitjeve para samitit të udhëheqësve të aleancës në korrik në Uashington.

“Ne nuk presim që do të ketë një ftesë për Ukrainën që të anëtarësohet në NATO, por mendojmë se do të ketë shfaqje të konsiderueshme të përkrahjes për Ukrainën, përderisa ajo punon për ta luftuar luftën e saj” – tha O’Brien.

“Kjo do të përfshijë mbështetje të vazhdueshme për ndërtimin e forcës dhe përpjekjeve të ardhshme të Ukrainës për ta ndihmuar Ukrainën, përderisa ajo i bën reformat e nevojshme në mënyrë që të jetë në gjendje që të anëtarësohet në BE dhe ta kapërcejë urën për në NATO sa më shpejt që mundet” – shtoi zyrtari amerikan.

Lajme të ngjashme