Rritet prapë numri i të vdekurve nga sulmi masiv në Rusi - NACIONALE

Rritet prapë numri i të vdekurve nga sulmi masiv në Rusi

4 javë më parë

nga NACIONALE

Ministria e Situatave Emergjente njoftoi të mërkurën se numri i të vdekurve nga sulmi terrorist në sallën e koncerteve “Crocus” afër Moskës ka shkuar në 143.

Nuk qe e qartë nëse trupat e rinj u gjetën në skenën e sulmit apo vdiqën persona të plagosur nga sulmi i 22 marsit, raporton Radio “Evropa e Lirë”.

Më shumë se 80 persona që ishin plagosur në sulm po trajtohen ende në spitale.

Katër burra të armatosur e sulmuan sallën “Crocus”, duke shkrepur plumba e duke prerë njerëz si dhe duke përdorur bomba ndezëse për t’ia vënë flakën sallës.

Një gjykatë ruse më 25 mars akuzoi katër shtetas të Taxhikistanit për kryerje të një akti terrorizmi. Katër persona të tjerë janë akuzuar se i kanë ndihmuar sulmuesit.

Raportohet se njerëzit e shteteve të Azisë Qendrore që jetojnë në Rusi ndodhen nën presion të shtuar dhe ballafaqohen me ndjenja kundër imigrantëve pas sulmit. Këtë javë, disa punëtorë nga Uzbekistani dhe Taxhikistani u ndaluan dhe u morën në pyetje për disa orë në Moskë.

Qeveria e Taxhikistanit, që është e afërt me Kremlinin, ka marrë në pyetje të afërm të katër burrave të akuzuar për kryerjen e sulmit në Rusi.

Uzbekistani i ka këshilluar shtetasit e vet në Rusi që t’i respektojnë masat e shtuara të sigurisë dhe që gjithmonë të bartin me vete dokumente të identifikimit dhe lejen e punës.

Qeveria e Kirgizisë u ka bërë thirrje shtetasve të saj kundër udhëtimit në Rusi për shkak të frikës se ata mund të ngacmohen, ndërsa autoritetet në Turkmenistan po synojnë që t’i kthejnë në atdhe studentët e këtij shteti që studiojnë në Rusi.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ISIS-i, por zyrtarë të lartë rusë këmbëngulin se Ukraina dhe Perëndimi ishin të përfshirë në sulm.

Lajme të ngjashme