Rritet numri i të vdekurve nga sulmi rus në Kiev të Ukrainës
Flamujt në mbarë Kievin u ulën në gjysmështizë të mërkurën, përderisa ukrainasit mbajtën zi për gati 30 të vrarët një ditë më parë nga sulmi më vdekjeprurës rus ndaj kryeqytetit ukrainas këtë vit.
Rusia hodhi 440 dronë e 32 raketa gjatë sulmit që u realizua natën, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke rrënuar një ndërtesë banimi, në goditjen më të re ndaj popullsisë, përderisa përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit po japin pak fryte, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha të mërkurën se numri i të vdekurve kishte shkuar në 28, por se një operacion kërkimi ishte duke vazhduar. Dy njerëz u vranë nga një sulm tjetër në qytetin bregdetar, Odesa, në jug të vendit.
Banorët e vizituan vendin e ndërtesës banesore të shkatërruar pjesërisht, ku punëtorët e shpëtimit po kërkonin nën rrënoja me ndihmën e makinave të rënda. Një korrespondent i agjencisë “Reuters” pa dy trupa duke u tërhequr nga rrënojat.
“Ky lloj i kombit nuk ka të drejtë që të ekzistojë dhe t’u sjellë vuajtje të tilla njerëzve” – tha Alla Martyniuk, 46 vjeçe, duke iu referuar rusëve.
Zyrtarët ukrainas thanë se rreth 27 vende në Kiev, përfshirë institucione arsimore dhe infrastrukturë kritike, ishin goditur gjatë sulmit me disa valë. Shumë njerëz pësuan lëndime.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se kishte përdorur raketa me bazë në ajër, tokë dhe det si dhe dronë për të sulmuar “objekte të kompleksit ushtarak industrial të Ukrainës” në rajonin e Kievit dhe në provincën jugore, Zaporizhia.
Zelensky u largua të martën nga samiti i Grupit G7 në Kanada duke thënë se diplomacia është “në krizë”, pasi e humbi mundësinë për ta shtyrë presidentin amerikan, Donald Trump, që t’i dhurojë më shumë armë vendit të tij./Nacionale