Rriten dukshëm eksportet e Kinës, kërkesë e madhe nga Rusia, India e Afrika
Kina ka regjistruar rritje të befasishme të tregtisë së jashtme në fillim të vitit, pjesërisht për shkak të kërkesës së fuqishme nga Rusia, India dhe tregjet në zhvillim në Afrikë e Amerikë Latine.
Eksportet nga ekonomia e dytë më e madhe në botë u rritën për 7,1 për qind në periudhën janar – shkurt, duke e mposhtur parashikimin për rritje prej 1,9 për qind nga anketa e agjencisë “Reuters” me ekonomistë. Kjo rritje është gjithashtu dukshëm më e lartë se shtimi prej 2,3 për qind në dhjetor, raporton televizioni CNN.
Kina zakonisht i raporton të dhënat ekonomike për dy muajt e parë të vitit së bashku për të shmangur ndonjë shtrembërim të shkaktuar nga festa e Vitit të Ri Hënor.
Edhe importet i tejkaluan pritjet, 3,5 për qind më shumë se një vit më parë, ndërsa bilanci pozitiv tregtar arriti në 125,2 miliardë dollarë, rreth 7 për qind më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Ekonomia kineze po ballafaqohet me disa sfida, përfshirë besimin e ulët të klientëve dhe investitorëve, nivelin e lartë të papunësisë së të rinjve dhe një krizë të gjatë të patundshmërive. Kthesa pozitive në tregti – para një viti ishte duke u tkurrë – është një pikë e rrallë drite në një tablo të zymtë.
Përpos efektit të dobët të bazës, kërkesa e fuqishme nga tregjet në zhvillim e ndihmuan tregtinë e Kinës që të rritej në fillim të vitit. Dërgesat në Afrikë, Amerikë Latine dhe Indi u rritën për 21 për qind, 20,6 për qind dhe përkatësisht 12,8 për qind.
“Përderisa rritja e fuqishme e eksportit në Indi mund ta pasqyrojë më shumë ekonominë e brendshme të fuqishme të saj, eksportet në Afrikë dhe Amerikë Latine mund të tregojnë lidhje tregtie në rritje mes Kinës dhe këtyre ekonomive në zhvillim, në kohën e një ndryshimi të gjerë global gjeopolitik” – thanë të enjten analistët e Nomura-s.
India është ekonomia e madhe botërore me rritjen më të shpejtë dhe autoritetet presin që ajo të rritet për 7,6 për qind këtë vit.
Ndërkohë, eksportet e Kinës në Rusi u shtuan për 12,5 për qind, duke paraqitur një ngadalësim nga rritja e shpejtë që u regjistrua vitin e kaluar. Moska ishte bërë partnerja tregtare e 10 më e madhe e Kinës vitin e kaluar, me një shifër rekorde prej 240 miliardë dollarësh mallra të transportuara mes dy vendeve. Në fillim të këtij viti, Rusia ra në pozitën e 11-të.