Rrihet për vdekje gruaja që dyshohet se vrau një 8-vjeçare në Meksikë
Një grua që dyshohej se kishte vrarë një vajzë 8-vjeçare në jug të Meksikës u rrah për vdekje nga një turmë që u formua nga protestat e nxitura nga vrasja.
Protesta të dhunshme nisën pas gjetjes së trupit të vajzës së quajtur Camila Gomez anash një rruge afër qytetit Taxco të enjten, raporton televizioni BBC.
Në pamjet e publikuara në rrjete sociale shihen policë duke shikuar, përderisa një grua që banorët lokalë besonin se ishte përgjegjëse për vrasjen e fëmijës u rrah brutalisht në pikë të ditës.
U sulmuan edhe dy burra që u dyshuan si të përfshirë në rast, por ata mbijetuan.
Camila u zhduk të mërkurën, pasi kishte hyrë në një shtëpi të lagjes për ta shfrytëzuar pishinën e fqinjëve.
Nëna e saj shkoi në polici disa orë më vonë, pasi kishte marrë porosi në telefon në të cilat i kërkohej haraç për t’ia liruar të bijën.
Ajo tha se u ofroi policisë pamje të kamerave të sigurisë nga një lagje tjetër ku shfaqej shtëpia në të cilën ndodhej vajza, por raportohet se policët i kishin shpërfillur kërkesat e saj për të vepruar.
Trupi i Camila-s u gjet pranë një rruge lokale të enjten. Autoritetet lokale më vonë konfirmuan se po hetonin një grua dhe dy burra për vrasje të rëndë.
Të afërmit e vajzës iu bashkuan banorëve të qytetit për të protestuar kundër policisë dhe për të kërkuar drejtësi për rastin që nxiti zemërim në Meksikë, shtet me njërën prej shkallëve më të larta në botë të dhunës kundër grave.
Banorët e qytetit Taxco rrokullisën vetura, bllokuan një rrugë dhe rrethuan tre persona për të cilët besonin se e kishin vrarë vajzën.
Në pamje të publikuara në rrjete sociale shihen policët duke e shikuar skenën, përderisa sulmohej brutalisht gruaja që besohej se ishte përgjegjëse për vrasjen e vajzës.
Agjencia AFP raporton se prokurorët lokalë janë duke e trajtuar si vrasje të kualifikuar vdekjen e gruas në duart e turmës.