Rrëzohet një aeroplan në Honduras, të paktën 12 të vdekur
Së paku 12 njerëz kanë vdekur pas rrëzimit të një aeroplani afër bregdetit të Hondurasit të hënën në mbrëmje, thanë zyrtarët.
Aeroplani që operohej nga kompania ajrore hondurase “Lanhsa” u rrëzua në det brenda një minute pas nisjes së fluturimit nga ishulli Roatan, raporton televizioni BBC.
Policia kombëtare dhe departamenti i zjarrfikësve thanë në njoftime të ndryshme se pesë persona ishin shpëtuar, ndërsa një tjetër ende nuk ishte gjetur.
Shkaktari i rrëzimit të aeroplanit nuk dihet ende, por kryetari i Roatan-it u tha mediave lokale se rasti nuk ndodhi për shkak të motit, i cili ishte normal. Agjencia e Aeronautikës Civile e Hondurasit tha se një hetim ishte duke u zhvilluar.
Aeroplani “Jetstream 32” ishte nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar “Juan Manuel Galvez” në orën 18 e 18 minuta sipas kohës lokale të martën dhe destinacion e kishte Aeroportin Ndërkombëtar “Goloson” në pjesën kryesore të territorit të Hondurasit.
Zyrtari i aviacionit civil, Carlos Padilla, i cituar nga agjencia e lajmeve AFP, tha se aeroplani “bëri një kthim të mprehtë në të djathtë të pistës dhe ra në ujë”.
Në një deklaratë të publikuar në rrjete sociale, Qeveria shprehu solidaritet me familjet e viktimave. “Qeveria e Hondurasit shpreh keqardhje të thellë për aksidentin tragjik në Roatan dhe i bashkohet zisë kombëtare” – thuhet në deklaratë./Nacionale