Rrëzohet në ShBA një aeroplan luftarak i tipit F/A-18
Një aeroplan luftarak i tipit F/A-18 i ushtrisë amerikane është rrëzuar afër stacionit ajror të forcave detare “Miramar” në San Diego të premten herët.
Autoritetet thanë se rrëzimi i aeroplanit ndodhi afër rrugës “Interstate 15” në orët e hershme të mëngjesit, raporton “ABC News”.
Nuk qe e qartë se çfarë e shkaktoi rrëzimin e aeroplanit dhe zyrtarët ende nuk e kanë bërë të ditur gjendjen e pilotit ose nëse në aeroplan kishte edhe persona të tjerë.
Një zyrtar i mbrojtjes konfirmoi se aeroplani u rrëzua gjatë një fluturimi trajnues.
Nuk janë dhënë hollësi të tjera për këtë rast dhe lajmi pritet të plotësohet më vonë me të dhëna shtesë.