Rrëzohet aeroplani i forcave detare jugkoreane, katër të vdekur
Një aeroplan i forcave detare të Koresë së Jugut u rrëzua gjatë një fluturimi trajnues të enjten, duke i lënë të vdekur të katër anëtarët e ekuipazhit, njoftoi ushtria.
Aeroplani patrullues i tipit P-3 ishte nisur nga baza e vet në qytetin juglindor, Pohang, në orën 13 e 43 minuta, dhe u rrëzua për arsye të panjohura, thuhet në një deklaratë të forcave detare. Më tej, aty thuhet se trupat e anëtarëve të ekuipazhit janë identifikuar dhe procesi për nxjerrjen e tyre është duke u zhvilluar, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Nuk pati raportime të menjëhershme për viktima civile në tokë. Forcat detare themeluan një task-forcë për ta hetuar aksidentin dhe përkohësisht i hoqën nga përdorimi aeroplanët e llojit P-3.
Një zyrë e emergjencave në Pohang tha se në vendin e ngjarjes ishin dislokuar punëtorë shpëtimi dhe kamionë të zjarrfikësve pas pranimit të raportimeve nga banorët se një aeroplan ishte rrëzuar në një kodër, afër një kompleksi banesor, dhe kishte shkaktuar një zjarr.
Në disa fotografi shiheshin zjarrfikësit dhe automjetet e emergjencës afër vendit ku u rrëzua aeroplani, ndërsa tymi shpërndahej nëpër drurët e pyllit.
Në dhjetor, një aeroplan pasagjerësh i kompanisë “Jeju Air” u përplas në një mur në Aeroportin Ndërkombëtar të Muan-it në pjesën jugore të Koresë së Jugut, duke lënë të vdekur 179 nga 181 njerëzit që ndodheshin në të. Ky ishte njëri nga aksidentet më vdekjeprurëse në historinë e aviacionit jugkorean.