Rreth 60 anije kineze grumbullohen afër ishullit të kontestuar me Filipinet - NACIONALE

Rreth 60 anije kineze grumbullohen afër ishullit të kontestuar me Filipinet

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pamjet satelitore të siguruara nga agjencia e lajmeve “Reuters” të enjten shfaqin një grumbullim të anijeve civile kineze afër ishullit të kontestuar Thitu, pikë kyçe e Filipineve në Detin Jugor të Kinës, por një oficer i lartë i forcave detare filipinase tha se ato “nuk janë shkak për shqetësim”.

Në njërën nga fotografitë e shkrepura nga kompania “Maxar Technologies” të hënën dhe të rishikuara nga agjencia “Reuters” shfaqen rreth 60 anije, rreth dy milje detare larg ishullit me rëndësi strategjike, prej të cilit autoritetet filipinase vëzhgojnë anije dhe aeroplan kinezë në rrugën e ngarkuar detare.

Nënadmirali Alfonso Torres, shef i Komandës Perëndimore të Filipineve, tha se është e rëndomtë që anijet e “milicisë detare” të grumbullohen në atë zonë. Manila, Pentagoni dhe diplomatë të huaj thonë se anije të tilla punojnë me rojën bregdetare kineze dhe me forcat detare kineze për ta fuqizuar praninë e Pekinit në ujërat e kontestuara.

Roy Trinidad, zëdhënës i forcave detare filipinase për Detin Jugor të Kinës, gjithashtu tha se anijet e milicisë detare janë rregullisht në atë zonë, duke shtuar se Manila ishte e vetëdijshme për to, të cilat i quajti “prani ilegale”, por se nuk kishte nevojë për alarm.

“Nuk është shkak për shqetësim. Ne nuk duhet ta lexojmë secilin veprim dhe të reagojmë ndaj tij… Ajo që është e rëndësishme është që ne ta mbajmë pozicionin tonë” –tha ai.

Ministria e Mbrojtjes e Kinës nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të agjencisë “Reuters” për koment. Kina nuk ka konfirmuar asnjëherë se ka milici të anijeve civile.

Grumbullimi i anijeve vjen pas disa muajve me përleshje mes rojës bregdetare kineze dhe barkave të peshkimit e anijeve filipinase./Nacionale

Lajme të ngjashme