Rreth 60.000 rezervistë izraelitë pritet të thirren në detyrë para pushtimit të Qytetit Gaza - NACIONALE

Rreth 60.000 rezervistë izraelitë pritet të thirren në detyrë para pushtimit të Qytetit Gaza

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rreth 60 mijë rezervistë izraelitë pritet që t’i marrin urdhrat për paraqitje në shërbim ushtarak, të cilët ushtria do të fillojë t’i lëshojë nga e mërkura për një ofensivë kundër Hamasit në Qytetin Gaza, pasi ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, i miratoi planet e ushtrisë, sipas Forcave të Mbrojtjes të Izraelit dhe zyrtarëve të sigurisë.

Urdhrat nuk do të jenë të menjëhershëm, por do të jenë të ndarë në disa valë. Shumica – nga 40.000 deri në 50.000 – do të urdhërohen që të paraqiten në detyrë më 2 shtator. Një valë tjetër pritet të realizohet në periudhën nëntor – dhjetor, ndërsa vala e tretë në shkurt – mars të vitit të ardhshëm, tha ushtria izraelite.

Numri i rezervistëve që do të thirren në detyrë u shtohet dhjetëra mijëra rezervistëve që tashmë janë duke shërbyer në forcat rezervë, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Ushtria izraelite tha gjithashtu se do t’ua zgjasë për 30 deri në 40 ditë shërbimin në forca rezervë shumë rezervistëve që tani për tani janë në shërbim. Kjo do ta çonte në rreth 130.000 numrin e përgjithshëm të rezervistëve në një periudhë të caktuar të ofensivës.

Rezervistët janë përfshirë në tri brigada dhe disa batalione dhe shumë prej tyre si ushtarë mbështetës, përfshirë fushat e inteligjencës dhe logjistikës.

Jo të gjithë rezervistët do të marrin pjesë në operacionin për kapjen e Qytetit Gaza, pasi disa prej tyre do t’i zëvendësojnë ushtarët në fronte të tjera.

Në përgjithësi, pesë divizione të ushtrisë, të përbëra nga dhjetëra mijëra trupa, pritet të marrin pjesë në ofensivën e planifikuar kundër Hamasit në Qytetin Gaza, sipas ushtrisë izraelite.

Ushtria tha se fazat përgatitore për ofensivën tashmë kanë filluar dhe se një ofensivë po zhvillohet në periferi të Qytetit Gaza. Brigada e Këmbësorisë “Nahal” dhe Brigada e 7-të e Blinduar kanë qenë duke operuar në lagjen Zeitoun, ndërsa Brigada e Këmbësorisë “Givati” filloi një ofensivë të re në zonën Kafr Jabalia, në veri të Qytetit Gaza./Nacionale

Lajme të ngjashme