Rreth 500 mijë drurë janë prerë për ta ndërtuar fabrikën e madhe të Teslas afër Berlinit
Zhvillimi i një fabrike shumë të madhe të prodhuesit amerikan të veturave elektrike, “Tesla”, afër Berlinit ka rezultuar në prerjen ose largimin e rreth 500 mijë drurëve, sipas një analize satelitore.
Ndërtimi i fabrikës afër kryeqytetit gjerman ka qenë shumë kundërthënës dhe ka nxitur protesta domethënëse si dhe një debat për kompromiset e përfshira në zhvillimin e ekonomisë së gjelbër, raporton gazeta “The Guardian”.
Elon Musk, pronari miliarder amerikan i prodhuesit “Tesla”, e ka kritikuar policinë lokale në Gjermani për masa të lehta ndaj “protestuesve majtistë”.
Pamjet satelitore tregojnë që 329 hektarë pyje janë prerë në vendin ku po ndërtohet fabrika nga marsi i vitit 2020 deri në maj të vitit 2023, sipas kompanisë për inteligjencë mjedisore, “Kayrros”. Kjo sipërfaqe është e barabartë me rreth 500 mijë drurë.
Nga maji, aktivistë për mbrojtjen e klimës kanë protestuar kundër zgjerimit të planifikuar të kësaj fabrike të madhe. Një grup madje ia vuri flakën një shtylle elektrike dhe e ndërpreu prodhimin për disa ditë në mars.
Karolina Drzewo nga aleanca “Turn Off Tesla’s Tap” tha se analiza ka treguar që prodhimi i automjeteve elektrike nga ky prodhues ka shkaktuar shkatërrim lokal të natyrës si dhe dëm global përmes mihjes së metaleve.
“Në njërin prej rajoneve më të thata në Gjermani, shumë prej mjedisit tashmë është shkatërruar. Një zgjerim dhe rrjedhimisht edhe më shumë shkatërrim i pyjeve dhe rrezikimi i zonës së mbrojtur të ujit të pijshëm duhet të parandalohen” – tha ajo.
Prodhuesi “Tesla” nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Ministria e Mjedisit e shtetit Brandenburg në korri miratoi një plan që fabrika e “Tesla”-s ta dyfishojë prodhimin në një milion vetura në vit./Nacionale