Rreth 200.000 ultra-ortodoksë protestojnë kundër rekrutimit ushtarak në Jerusalem, vdes një 15-vjeçar
Një protestë masive e hebrenjve ultra-ortodoksë kundër rekrutimit ushtarak u bë vdekjeprurëse të enjten në Jerusalem, kur një adoleshent u rrëzua për vdekje gjatë demonstratës që e shkaktoi mbylljen e hyrjes kryesore në qytet.
Turma e madhe, e përbërë kryesisht nga burra e djem, i mbushi rrugët përreth autostradës Route 1 që çon në Jerusalem. Mediat izraelite vlerësuan se në protestë morën pjesë rreth 200 mijë njerëz, transmeton agjencia “Reuters”.
Në disa fotografi shihet se disa prej protestuesve kishin hipur mbi kulme të ndërtesave, në vinça e mbi një pompë të karburanteve. Shërbimi ambulantor izraelit tha se një djalë 15-vjeçar u rrëzua për vdekje dhe policia tha se ka hapur një hetim për incidentin.
Debati për shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe për atë se kush përjashtohet prej tij për një kohë të gjatë ka shkaktuar tensione brenda shoqërisë thellësisht të përçarë izraelite dhe e ka vënë kryeministrin Benjamin Netanyahu nën presion të shtuar politik vitin e fundit.
Udhëheqësit hebraikë ultra-ortodoksë thonë se përkushtimi gjatë tërë kohës ndaj studimit të shkrimeve të shenjta është gjë e shenjtë dhe kanë frikë se të rinjtë do të largoheshin nga jeta fetare, nëse rekrutohen në ushtri.
“Tani për tani, njerëzit që refuzojnë që të shkojnë në ushtri dërgohen në burg ushtarak. Nuk është aq keq, por ne jemi vend hebraik. Nuk mund të luftoni kundër judaizmit në një vend hebraik, nuk funksionon” – tha protestuesi Shmuel Orbach.
Sidoqoftë, Gjykata Supreme e Izraelit vitin e kaluar dha urdhër që t’i jepet fund përjashtimit të ultra-ortodoksëve nga detyrimi për të shërbyer në ushtri. Kuvendi është ballafaquar me vështirësi për të hartuar një projektligj të ri për rekrutimin ushtarak.