Rreth 150 ushtarë amerikanë të plagosur deri më tani në luftën e Iranit, thotë “Reuters” me burime - NACIONALE

Rreth 150 ushtarë amerikanë të plagosur deri më tani në luftën e Iranit, thotë “Reuters” me burime

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Rreth 150 ushtarë amerikanë janë plagosur në luftën 10-ditore me Iranin, i thanë të martën agjencisë së lajmeve “Reuters” dy persona të afërt me çështjen.

Kjo shifër nuk është raportuar më parë. Para publikimit të numrit nga agjencia “Reuters”, Pentagoni kishte zbuluar vetëm tetë pjesëtarë të personelit amerikan si të lënduar seriozisht.

Në një deklaratë të lëshuar pas publikimit të raportit nga agjencia “Reuters”, Pentagoni vlerësoi se bëhet fjalë për rreth 140 të plagosur dhe tha se shumica dërrmuese e tyre kanë pësuar lëndime të lehta.

“Që nga fillimi i Operacionit Furia Epike, përafërsisht 140 pjesëtarë të shërbimit amerikan janë lënduar gjatë dhjetë ditëve të sulmeve të vazhdueshme” – tha zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell.

Sipas tij, 108 prej ushtarëve të plagosur tashmë janë rikthyer në detyrë.

Parnelli tha se tetë pjesëtarët e lënduar seriozisht po e marrin kujdesin mjekësor të nivelit më të lartë.

Agjencia “Reuters” nuk mundi t’i përcaktonte llojet e lëndimeve dhe nëse në to përfshihen lëndimet traumatike të trurit, të cilat janë të zakonshme pas ekspozimit ndaj shpërthimeve.

Irani ka kryer sulme hakmarrëse kundër bazave ushtarake amerikane që nga fillimi i konfliktit më 28 shkurt. Ky shtet gjithashtu ka sulmuar misione diplomatike në shtetet arabe të Gjirit Persik si dhe hotele e aeroporte dhe ka dëmtuar infrastrukturë të naftës.

Pentagoni thotë se numri i sulmeve iraniane ka rënë dukshëm nga fillimi i luftës, përderisa forcat amerikane po i bombardojnë inventarët e armëve dhe raketahedhësit që Irani i ka në numër të kufizuar./Nacionale

Lajme të ngjashme