Rrëshqitje dheu në ishullin Java të Indonezisë, gjashtë të vdekur e 17 të zhdukur
Gjashtë njerëz e kanë humbur jetën dhe 17 të tjerë janë të zhdukur nga rrëshqitja e dheut në pjesën qendrore të Ishullit Java të Indonezisë pas reshjeve të gjata e të dendura të shiut, raportoi të shtunën agjencia shtetërore e lajmeve, “Antara”.
Rrëshqitja e dheut të enjten në qytetit Cilacap mbuloi dhjetëra shtëpi në fshatin Cibeunying, tha kjo agjenci, duke cituar një zyrtar të reagimit në raste katastrofash, Budi Iraëan, transmeton agjencia “Reuters”.
“Gjetëm edhe tre trupa, duke lënë vetëm 17 për t’u gjetur. Kemi qenë duke punuar aq shumë sa kemi pasur mundësi” – citohet të ketë thënë zyrtari, i cili është zëvendësdrejtor i Agjencisë për Menaxhimin e Katastrofave.
Ai tha se terreni ishte sfidues për ekipet e shpëtimit, pasi viktimat ishin të varrosura nga tri deri në tetë metra thellësi.
Periudha me reshje në shtetin e Azisë Juglindore filloi në shtator dhe do të zgjasë deri në prill, thotë agjencia e motit, duke sjellë rrezik më të lartë për vërshime dhe reshje ekstreme në shumë zona.
Në janar, të paktën 25 njerëz kishin vdekur nga rrëshqitja e dheut, e shkaktuar nga shiu i dendur në një qytet tjetër të pjesës qendrore të Ishullit Java, Pekalongan.