Rrëmbim në një minierë ari në Peru, gjenden të vdekur 13 minatorë
Trembëdhjetë minatorë janë gjetur të vdekur brenda një miniere në Peru, pasi ishin rrëmbyer para disa ditëve.
Ata ishin duke punuar në një minierë që është në pronësi të kompanisë peruane “Poderosa”, e cila e ka bazën në provincën Pataz, në veri të kryeqytetit Lima, raporton televizioni BBC.
Viktimat ishin dërguar për t’u ballafaquar me një grup njerëzish të përfshirë në mihje ilegale në zonë, por u rrëmbyen nga një bandë kriminale që po mundohej ta merrte nën kontroll minierën.
Banda i mbajti ata peng brenda një zone të minierës. Për një javë, banda u dërgoi mesazhe kërcënuese të afërmve të minatorëve.
Viteve të fundit në Peru është shënuar rritje e numrit të rasteve kur kriminelët sulmojnë miniera në vend.
Kompania lëshoi një deklaratë në të cilën tha se ishte e zhgënjyer që policia nuk po bën mjaftueshëm për ta parandaluar mihjen ilegale.