Rrëfehet ish-ushtari izraelit: Shtëpitë e palestinezëve shkatërroheshin për hakmarrje
Shtëpi të shkatërruara, plaçkitje dhe një dëshirë për hakmarrje. Një ish-rezervist i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit ka pretenduar se ka pasur shkelje serioze në sjelljen e forcave izraelite në Gaza dhe mungesë të disiplinës në strukturën komanduese. Ai i bëri këto pretendime në një intervistë për televizionin CNN.
Yuval Green, ish-parashutist 26-vjeçar, është njëri prej disa ushtarëve që kanë shërbyer në luftën e Izraelit kundër Hamasit dhe tani po e kritikojnë publikisht mënyrën se si ajo po zhvillohet, raporton televizioni amerikan.
Green, që shërbente si mjek në njësitin e tij, i tha televizionit se para shpërthimit të luftës në Gaza më 7 tetor, kur ishte rekrutuar për detyrë rezervë, synonte të largohej nga ushtria, duke u ankuar për sjelljen e trupave në Bregun e pushtuar Perëndimor. Ai kishte planifikuar që t’u tregonte kolegëve më 8 tetor për planin e largimit, por pas sulmit të Hamasit, ishte ndier i detyruar që t’i përkrahte, pasi ishin mobilizuar për luftë.
“Kur ndodhi 7 tetori, ishte vështirë për mua në atë kohë që t’u thosha se nuk isha i gatshëm për të shkuar me ta, prandaj vendosa që t’u bashkohesha shokëve... Nuk dija se cila do të ishte gjëja e duhur për ta bërë” – tha ai.
Green tha se kishte shërbyer në perimetrin e Gazës në nëntor të vitit të kaluar para se të dërgohej brenda Rripit të Gazës më 2 dhjetor, duke qëndruar 51 ditë në qytetin Khan Younis, në jug të enklavës. Ai tha se zemërimi i ndier nga izraelitët pas 7 tetorit dhe thirrjet për hakmarrje shpreheshin haptazi në njësinë e tij, përderisa prisnin që të dërgoheshin në Gaza, dhe këtë e cilësoi si “demonizim të banorëve të Gazës”.
“Në ditët para se të hynim në Khan Younis... ishte kjo atmosfera që ishte një lloj rritjeje e demonizimit të banorëve të Gazës” – tha ai, duke shtuar se dëgjonte njerëz “duke folur për vrasje, shkatërrimin e tërë Gazës. Zhdukja e saj u bë diçka që njerëzit [po e diskutonin], si të ishte njëfarë ideje legjitime.”
“Më dukej sikur komandantët e mi po mundoheshin që disi të shkonin me ushtarë dhe të mundoheshin të thoshin se mendonin... [që ishin] ato që ushtarët donin t’i dëgjonin. E keni parasysh, thënia e gjërave si: nuk do të kemi asnjë kufi në Gaza kësaj radhe” – shtoi ish-rezervisti.
Lufta në Gaza ka sjellë shkatërrim të gjerë të shtëpive, infrastrukturës, spitaleve dhe shkollave. Green thotë se ai ishte dëshmitar i shkatërrimit “të panevojshëm” të shtëpive palestineze.
“Kemi parë shumë shkatërrim që nuk ishte patjetër i lidhur me arsye ushtarake. Gjithçka priret për t’u përzier vërtet, e dini – njerëzit janë duke shkatërruar shtëpi, sepse ata besojnë që duhet të marrin hak për atë që ndodhi [më 7 tetor] dhe kjo përzihet me arsyet për të shkatërruar shtëpi për arsye ushtarake” – tha Green, duke shtuar se ishte dëshmitar i kaosit. “Mund t’ju them 100 për qind se ne kemi shkatërruar shtëpi të paktën për arsye që... ne nuk mërzitemi mjaftueshëm për jetët e palestinezëve” – shtoi ai./Nacionale