Rinisin luftimet në Sweida të Sirisë disa orë pas armëpushimit, Izraeli zotohet për sulme të reja - NACIONALE

Rinisin luftimet në Sweida të Sirisë disa orë pas armëpushimit, Izraeli zotohet për sulme të reja

1 vit më parë

nga NACIONALE

Përleshjet mes trupave qeveritare siriane dhe luftëtarëve lokalë të komunitetit pakicë Druze rinisën të mërkurën herët në qytetin jugor Sweida, duke rrëzuar një armëpushim të njoftuar vetëm disa orë më herët me qëllim që t’u jepej fund disa ditëve të gjakderdhjes vdekjeprurëse sektare.

Shpërthimi i dhunës në provincën me popullsi kryesisht të komunitetit Druze në jug të Sirisë i ka vënë në pah përçarjet në mesin e komuniteteve të llojllojshme të Sirisë. Pakicat po ndiejnë mosbesim të thellë ndaj qeverisë së udhëhequr nga islamistët, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Trupat siriane u dislokuan në provincë të hënën për t’i qetësuar luftimet mes luftëtarëve të komunitetit Druze dhe luftëtarëve beduinë, por përfunduan duke u përleshur vetë me militantët Druze. Këto luftime e tërhoqën në konflikt edhe Izraelin, i cili kreu sulme ajrore ndaj forcave qeveritare të hënën dhe të martën me qëllim të mbrojtjes së komunitetit Druze.

Një armëpushim i njoftuar të martën mbrëma nga Ministria e Mbrojtjes e Sirisë nuk zgjati shumë.

Mediumi lokal “Sweida22” tha se qyteti Sweida dhe fshatrat afër tij po ballafaqoheshin me zjarr të rëndë të artilerisë dhe mortajave të mërkurën herët. Ministria e Mbrojtjes e Sirisë, në një deklaratë të publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve SANA, i fajësoi grupet e shpallura të jashtëligjshme në Sweida për shkeljen e armëpushimit.

Ministria e Mbrojtjes u bëri thirrje banorëve të këtij qyteti që të qëndronin brenda shtëpive të tyre.

Dhjetëra civilë, trupa qeveritare e luftëtarë të komunitetit Druze janë vrarë që nga dita kur shpërthyen luftimet, të dielën.

Civilët dhe reporterët e agjencisë “Reuters” në qytet thanë se forcat qeveritare kishin plaçkitur dhe djegur shtëpi, kishin vjedhur vetura dhe mobilie nga shtëpitë të martën. Një burrë ia tregoi reporterit të agjencisë “Reuters” trupin e vëllait të tij, i cili ishte qëlluar në kokë brenda shtëpisë së tyre.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, të mërkurën e paralajmëroi qeverinë siriane që “t’i lërë vetëm druzët” dhe se ushtria izraelite do t’i vazhdonte sulmet ndaj forcave qeveritare siriane derisa ato të tërhiqen.

Emisari i Shteteve të Bashkuara në Siri, Tom Barrack, tha të martën se vendi i tij ishte në kontakt me të gjitha palët “për të lëvizur drejt qetësisë dhe integrimit”./Nacionale

Lajme të ngjashme