Ukrainasit nuk pyesin, përkundër rreziqeve rikthehen në Kiev - NACIONALE

Ukrainasit nuk pyesin, përkundër rreziqeve rikthehen në Kiev

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Një javë pasi forcat ruse u tërhoqën nga fshatrat në veri të Kievit, duke lënë pas ndërtesa të rrafshuara dhe kufoma në disa rrugë, nga frika e ndonjë sulmi të ri, zyrtarët kanë paralajmëruar njerëzit që të mos kthehen ende në kryeqytet. Megjithatë, për disa nga ata që u kthyen të enjten në stacionin kryesor të trenit në qendër të Kievit, dëshira për të parë prindërit e moshuar ose për të vazhduar punën e tyre tejkalonte çdo shqetësim sigurie.

Disa punëtorë ishin kthyer pa familjet e tyre, duke lënë gratë dhe fëmijët në sigurinë relative të Ukrainës perëndimore, ndërsa të tjerë ishin në nxitim për të marrë më shumë nga gjërat dhe makinat e tyre përpara se të niseshin përsëri. Kishte edhe disa që thanë se ishin kthyer për të qëndruar, të paktën tani për tani.

Reuters shkruan se këtë të enjte, në Kiev kishte shumë shenja të jetës normale.

Shumë njerëz kishin dalë për vrapin e mëngjesit, gratë mund të shiheshin duke shetitur qentë e tyre, ndërsa këmbanat e kishës ranë për të thirrur besimtarët për lutje të mëngjesit.

Gjashtë javë që kur Rusia pushtoi Ukrainën duke arritur në 20 km afër Kievit, shumë nga dyqanet përgjatë rrugës kryesore të kryeqytetit mbetën të mbyllura.

Në rrugë ende vazhdon të ketë postblloqe të ushtrisë të cilat u kujtojnë banorëve se kthimi në jetën normale mund të mos jetë ende një zgjidhje.

Kryetari i qytetit Vitali Klitschko, në fillim të këtij muaji paralajmëroi njerëzit e larguar që të mos kthehen menjëherë në qytet, duke bërë të ditur se nga 3 milion banorë të paraluftës në Kiev, gjysma e tyre ishin larguar.

Tregu Zhytniy, një nga më të vjetrit e Kievit ndodhet në një ndërtesë sovjetike të shkatërruar, ku dyshemetë janë të pabarabarta dhe sportelet janë të plasaritura - rreshtat e tezgave, që shesin fruta, mish, djathë madje edhe çorape kanë nisur të mbushen përsëri.

Në Kiev, kanë nisur të rihapen edhe kafenetë dhe restorantet, duke vendosur sërish tavolina dhe karrige në trotuarin jashtë.

"Ka shumë njerëz tani. Shumë njerëz janë kthyer në Kiev. Rreth dy javë më parë qyteti ishte krejtësisht bosh, pa njerëz," tha Kostia Yastreb, një menaxher në kafene.

"Një javë më parë ishin 20 persona në ditë. Tani ne po mirëpresim rreth 60 njerëz në ditë dhe numri do të vazhdojë të rritet, jam i sigurt."

Dëshira për t’u kthyer në shtëpi është e fortë edhe përtej Kievit, në qytetet dhe fshatrat përreth. Por për ata që kanë qëndruar që nga fillimi në vend, ka ende një ndjenjë të pakëndshme që mund të marrë kohë për ta kapërcyer.

Rusia vazhdon të thotë se ka nisur një "operacion special ushtarak" për të çarmatosur dhe "denazifikuar" Ukrainën. Ndërsa, Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë thonë se pushtimi ishte i paligjshëm dhe i pajustifikuar.

Lajme të ngjashme