“Reuters”: Turqia po blen më shumë naftë jo-ruse pas sanksioneve të reja perëndimore - NACIONALE

“Reuters”: Turqia po blen më shumë naftë jo-ruse pas sanksioneve të reja perëndimore

6 ditë më parë

nga NACIONALE

Rafineritë më të mëdha të naftës në Turqi po blejnë më shumë naftë jo-ruse si reagim ndaj sanksioneve më të reja perëndimore ndaj Rusisë, i thanë agjencisë “Reuters” dy persona me njohuri të drejtpërdrejta rreth çështjes si dhe disa burime të industrisë.

Turqia është blerëse e rëndësishme e naftës së papërpunuar ruse, bashkë me Kinën e Indinë. Rafineritë turke tani po ndërmarrin hapa të ngjashëm si ato në Indi, shenjë e ndikimit të përpjekjeve të ShBA-së, BE-së dhe Britanisë për t’i dëmtuar shitjet e naftës ruse që përdoren për financimin e luftës në Ukrainë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Njëra nga rafineritë më të mëdha turke, “SOCAR Turkey Aegean Refinery” (STAR), në pronësi të kompanisë azere SOCAR, rishtazi ka blerë katër ngarkesa me naftë të papërpunuar nga Iraku, Kazakistani dhe prodhues të tjerë jo-rusë për arritjet në dhjetor, sipas burimeve.

Kjo sasi arrin në 77.000 deri në 129.000 fuçi nafte në ditë me dërgesa jo-ruse varësisht nga madhësia e dërgesës, duke u mbështetur në përllogaritjet e agjencisë “Reuters”, dhe nënkupton se kompania SOCAR do të përdorë më pak naftë të papërpunuar ruse.

Nafta e papërpunuar ruse përbënte pothuajse tërë blerjet e rafinerisë SOCAR në tetor dhe shtator, me rreth 210.000 fuçi nafte, sipas të dhënave të kompanisë “Kpler”.

Njëra nga ngarkesat është dërgesë nga kompania kazake KEBCO, thanë dy burime, e njëjtë për nga cilësia si nafta e papërpunuar ruse e kompanisë “Urals”, por me burim nga Kazakistani.

Rafineria tjetër e rëndësishme turke, “Tupras”, po i shton blerjet e naftës jo-ruse me cilësi të përafërt me atë të kompanisë “Urals”, për shembull me nivelin e cilësisë së naftës nga Iraku, thanë dy prej burimeve, pa dhënë hollësi të mëtejme.

Kompani SOCAR refuzoi që të komentonte. Kompania “Tupras” nuk iu përgjigj kërkesës së agjencisë “Reuters” për koment./Nacionale

Lajme të ngjashme