“Reuters”: Trumpi po e shqyrton tërheqjen e disa trupave amerikane nga Evropa mes tensionesh në NATO - NACIONALE

“Reuters”: Trumpi po e shqyrton tërheqjen e disa trupave amerikane nga Evropa mes tensionesh në NATO

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i zemëruar me dështimin e NATO-s për të ofruar ndihmë në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit dhe që planet e tij për ta marrë nën kontroll Grenlandën nuk kanë ecur përpara, e ka diskutuar me këshilltarët e tij opsionin e largimit të disa trupave amerikane nga Evropa, i tha të enjten agjencisë “Reuters” një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë.

Asnjë vendim nuk është marrë dhe Shtëpia e Bardhë nuk e ka udhëzuar Pentagonin për të hartuar plane konkrete për zvogëlim të numrit të trupave në kontinent, tha zyrtari, i cili kërkoi që të mbetej anonim.

Megjithatë, vetëm diskutimet për këtë temë e nënvizojnë faktin se sa ndjeshëm janë përkeqësuar marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe aleatëve të tij evropianë të NATO-s muajve të fundit. Këto diskutime gjithashtu lënë të kuptohet se një vizitë e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë dështoi që t’i përmirësonte në masë domethënëse marrëdhëniet transatlantike, të cilat, mësa duket, janë në pikën e tyre më të ulët që nga themelimi i aleancës më 1949.

Shtetet e Bashkuara tash për tash kanë më shumë se 80.000 trupa në Evropë dhe kanë luajtur rol qendror në arkitekturën e sigurisë së Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore. Më shumë se 30.000 ushtarë nga ky grup ndodhen në Gjermani, por një pjesë e konsiderueshme janë edhe në Itali, Britani të Madhe dhe Spanjë.

NATO-ja nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Zyrtari amerikan nuk tregoi se cilat shtete do të mund të prekeshin ose sa trupa mund të tërhiqen në fund, nëse Trumpi vendos që ta çojë përpara këtë ide.

Në janar, Trumpi nxiti një krizë transatlantike, kur i përtëriu kërcënimet e mëhershme për aneksimin e Grenlandës, territor i Danimarkës. Që nga shpërthimi i luftës me Iranin më 28 shkurt, ai ka shprehur zemërim të thellë pse aleatët e NATO-s nuk ofruan ndihmë për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, rrugë jetike detare për dërgesat globale të energjisë që ka mbetur kryesisht e mbyllur pavarësisht arritjes së një armëpushimi të brishtë këtë javë.

Lajme të ngjashme