“Reuters”: Siria ka emëruar disa luftëtarë të huaj islamistë në ushtrinë e vet
Pushtetarët e rinj të Sirisë kanë emëruar disa luftëtarë të huaj, përfshirë ujgurë, një jordanez e një turk, në forcat e armatosura të vendit, përderisa Damasku po mundohet që të shndërrojë një grumbull të grupeve rebele në ushtri profesionale, i kanë thënë dy burime siriane agjencisë së lajmeve “Reuters”.
Vendimi për t’u dhënë role zyrtare, përfshirë disa të larta, disa xhihadistëve mund të alarmojë ca qeveri të huaja dhe qytetarë sirianë që kanë frikë rreth qëllimeve të administratës së re, pavarësisht zotimeve të saj për të mos e eksportuar revolucionin islamik dhe për të qeverisur me tolerancë ndaj grupeve të mëdha të pakicave në Siri, raporton agjencia “Reuters”.
Një zëdhënës qeveritar sirian nuk iu përgjigj kërkesës për koment rreth qëndrimeve prapa këtyre emërimeve.
Burimet thanë se nga gjithsej gati 50 role ushtarake të njoftuara nga Ministria e Mbrojtjes të dielën, të paktën gjashtë u janë ndarë të huajve.
Agjencia “Reuters” nuk ishte në gjendje që në mënyrë të pavarur ta vërtetonte kombësinë e individëve të emëruar.
Mijëra të huaj myslimanë sunitë iu bashkuan rebelëve të Sirisë në fazën e hershme të luftës civile 13-vjeçare për të luftuar kundër pushtetit të Bashar al-Assadit dhe grupeve militante shiite të mbështetura nga Irani, të cilat e përkrahën atë, duke i dhënë konfliktit një ngjyrim sektar.
Disa luftëtarë të huaj i formuan grupet e tyre të armatosura, ndërsa të tjerë u bënë pjesë e formacioneve si ISIS-i, kur grupi e përhapi kontrollin në Irak e Siri, duke e shpallur për një kohë të shkurtër të ashtuquajturin kalifat para se të shpartallohej nga forcat e përkrahura nga ShBA-ja e Irani.
Pushtetarët e rinj të Sirisë, që vijnë kryesisht nga grupi Hayat Tahrir al-Sham (HTS), kanë dhënë shenjë se disa luftëtarëve të huaj dhe familjeve të tyre mund t’u jepet shtetësia siriane dhe mund t’u lejohet qëndrimi në vend për shkak të kontributit të tyre në luftën kundër Assadit.
Ministria e Mbrojtjes të dielën njoftoi 49 emërime në ushtri, ku përfshiheshin udhëheqës të fraksioneve të armatosura kyçe siriane.
Në mesin e tyre ishin disa luftëtarë të huaj, tre prej tyre iu dha grada Gjeneral Brigade dhe të paktën tre të tjerëve grada e Kolonelit, tha një burim ushtarak sirian./Nacionale