“Reuters”: ShBA-ja do t’i lehtësojë kufizimet ndaj ndihmave për Sirinë
Shtetet e Bashkuara pritet ta njoftojnë lehtësimin e kufizimeve rreth ofrimit të ndihmave humanitare dhe shërbimeve të tjera themelore si rryma për Sirinë, por do ta mbajnë në fuqi regjimin e tyre të rreptë të sanksioneve, i thanë agjencisë së lajmeve “Reuters” disa persona të njoftuar me çështjen.
Vendimi i administratës së presidentit në largim, Joe Biden, do të dërgojë sinjal të vullnetit të mirë te pushtetarët e rinj islamikë të Sirisë, raporton agjencia “Reuters”.
Qëllimi i vendimit është që t’i hapet rruga përmirësimit të kushteve të jetesës në shtetin e rrënuar nga lufta, duke e mbajtur ndërkohë në fuqi levën e ShBA-së.
Një zëdhënës i Thesarit të Shteteve të Bashkuara nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.
Zyrtarë amerikanë janë takuar disa herë me pjesëtarë të administratës së re siriane, që udhëhiqet nga grupi Hayat Tahrir al-Sham (HTS), që nga rrëzimi i papritur nga pushteti i ish-presidentit Bashar al-Assad më 8 dhjetor përmes një ofensive të shkurtër të rebelëve.
HTS-ja, që e udhëhoqi ofensivën kundër pushtetit të vjetër të Sirisë, ka hequr dorë nga lidhjet me Al Qaedan dhe ka luftuar kundër këtij grupi, por Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta cilësojnë atë si entitet terrorist.
Uashingtoni dëshiron që ta shohë HTS-në duke bashkëpunuar për prioritete si lufta kundër terrorizmit dhe duke formuar një qeveri gjithëpërfshirëse për të gjithë sirianët.
Gazeta e njohur amerikane, “The Wall Street Journal”, raportoi se administrata e Bidenit e miratoi lehtësimin e kufizimeve ndaj ndihmave në fundjavë, duke thënë se me këtë vendim autorizohet Departamenti i Thesarit që të lëshojë masa përjashtuese për grupet e ndihmave dhe kompanitë që ofrojnë produkte elementare si uji, rryma dhe dërgesat e tjera humanitare.