“Reuters” llogarit: Lufta e Iranit do t’ia dyfishojë Rusisë të hyrat kryesore nga nafta në prill - NACIONALE

“Reuters” llogarit: Lufta e Iranit do t’ia dyfishojë Rusisë të hyrat kryesore nga nafta në prill

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Rusia do të sigurojë dyfishim të të hyrave nga taksa e saj më e madhe e naftës, duke e arritur shifrën e 9 miliardë dollarëve në prill, për shkak të krizës së naftës dhe gazit, e nxitur nga sulmi amerikano-izraelit ndaj Iranit, sipas përllogaritjeve të agjencisë së lajmeve “Reuters”.

Përllogaritja e kësaj agjencie është ndër dëshmitë e para konkrete për një klimë të favorshme për Rusinë, eksportuesja e dytë më e madhe në botë e naftës, nga lufta e Iranit, për të cilën tregtarët e karburanteve thonë se e ka nxitur krizën më serioze të energjisë në historinë e vonë.

Irani e mbylli pothuajse tërësisht Ngushticën e Hormuzit – rrugë detare nëpër të cilën para luftës kalonte një e pesta e sasisë globale të naftës dhe gazit natyror të lëngëzuar – pas fillimit të sulmeve ajrore nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kundër Iranit në fundin e shkurtit, duke shkaktuar shtrenjtim të konsiderueshëm të naftës së papërpunuar.

Të hyrat kryesore të Rusisë nga industria e saj e madhe e naftës dhe gazit janë të mbështetura te prodhimi. Taksa e eksportit ndaj naftës së papërpunuar është shfuqizuar nga fillimi i vitit 2024 si pjesë e të ashtuquajturës manovër me taksa, reformë taksash në këtë industri, që pritet të zgjatë me vite.

Sipas përllogaritjeve të agjencisë “Reuters”, të mbështetura në të dhënat preliminare të prodhimit dhe çmimet e naftës, taksa e Rusisë për nxjerrje të mineraleve ndaj prodhimit të naftës në prill do të arrijë në rreth 700 miliardë rubla (9 miliardë dollarë), nga 327 miliardë rubla, sa ishte në mars. Të hyrat shënojnë rritje për rreth 10 për qind nga prilli i vitit të kaluar.

Për tërë vitin 2026, Rusia ka bërë planifikim buxhetor për 7,9 trilionë rublash nga taksa për nxjerrjen e mineraleve.

Çmimi mesatar i naftës së papërpunuar ruse “Ural”, që përdoret për tatim, shkoi në 77 dollarë për fuçi në mars, çmimi më i lartë i saj që nga tetori i vitit 2023, sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë.

Kjo shifër shënon rritje për 73 për qind nga çmimi prej 44,59 dollarësh për fuçi në shkurt dhe mbi nivelin e supozuar prej 59 dollarësh për fuçi, i paraparë në buxhetin e këtij viti.

Kremlini tha të martën se ekziston një numër i madh kërkesash për energjinë ruse nga një varg i gjatë vendesh të ndryshme në kohën e një krize të rëndë globale të energjisë, e cila po i tund themelet e tregjeve të naftës dhe gazit.

Prapëseprapë, ka kufizime ndaj klimës pozitive për Rusinë dhe ekonomistët në këtë shtet disa herë kanë paralajmëruar se 2026-a mund të jetë vit i vështirë.

Rusia pati deficit buxhetor prej 4,58 trilionë rublash, ose 1,9 për qind e prodhimit vendës bruto, në periudhën janar – mars 2026, tha të mërkurën Ministria e Financave.

Sulmet e Ukrainës ndaj infrastrukturës energjetike të Rusisë, me qëllim të dëmtimit të financave të Moskës, gjithashtu kanë kontribuuar në fitim më të ulët dhe rrezikojnë zvogëlim të prodhimit të naftës.

Niveli i klimës pozitive për Rusinë përfundimisht do të varet nga ajo se sa do të zgjatë kriza e Iranit./Nacionale

Lajme të ngjashme