“Reuters”: Izraeli kërkon ndryshime në planin e armëpushimit, ndërlikohen bisedimet
Izraeli po kërkon ndryshime në një plan për armëpushim në Gaza dhe lirim të pengjeve nga Hamasi, duke e ndërlikuar arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për ndaljen e luftimeve që e kanë shkatërruar enklavën, sipas një zyrtari perëndimor, një burimi palestinez e dy burimeve egjiptiane, raporton agjencia “Reuters”.
Izraeli thotë se palestinezët e zhvendosur duhet të kontrollohen gjatë kthimit në pjesën veriore të Gazës, kur të fillojë armëpushimi, duke u tërhequr nga një marrëveshje për t’i lejuar civilët e zhvendosur në jug që të kthehen lirisht në shtëpi, i thanë kësaj agjencie katër burimet e saj.
Hamasi e refuzoi kërkesën e re nga Izraeli, sipas burimeve egjiptiane dhe burimit palestinez.
Një pikë tjetër problematike, sipas burimit egjiptian, është kërkesa e Izraelit për ta mbajtur kontrollin e kufirit të Gazës me Egjiptin, të cilën Kajroja e ka cilësuar si jashtë kornizës për një marrëveshje përfundimtare të pranuar nga palët e konfliktit.
Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, Shtëpia e Bardhë dhe Ministria e Jashtme e Egjiptit nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment rreth kërkesave të Izraelit.
“Netanyahu është ende duke ngecur. Nuk ka ndryshim në qëndrimin e tij deri më tani” – tha zyrtari i lartë i Hamasit, Sabi Abu Zuhi, i cili nuk i komentoi drejtpërdrejt kërkesat e Izraelit.
Fjalët për pika të reja problematike erdhën pasi presidenti amerikan, Joe Biden, bëri trysni për armëpushim gjatë takimit në Uashington të enjten me kryeministrin izraelit për arritjen e një pakti përfundimtar.
“Jemi më afër [marrëveshjes] tani se që kemi qenë më parë” – tha zëdhënësi për siguri kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby, duke shtuar se dallime mbeteshin.
Në një fjalim në Kongresin e ShBA-së të mërkurën, Netanyahu tha se Izraeli ishte i përfshirë në “përpjekje intensive” për ta siguruar lirimin e pengjeve që janë duke u mbajtur ende në Gaza.
Burimet që biseduan me agjencinë “Reuters” kërkuan anonimitet për të folur rreth kërkesave izraelite për shkak të ndjeshmërisë së bisedimeve të vazhdueshme për armëpushim dhe lirim të pengjeve./Nacionale