“Reuters”: Izraeli e Hamasi më afër marrëveshjes për një muaj armëpushim - NACIONALE

“Reuters”: Izraeli e Hamasi më afër marrëveshjes për një muaj armëpushim

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Izraeli dhe Hamasi i janë afruar një marrëveshjeje për armëpushim 30-ditor në Gaza, kur do të liroheshin pengje izraelite e të burgosur palestinezë, i thanë disa burime agjencisë “Reuters”. Ndërkohë, forcat izraelite e vazhduan sulmin në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis.

Katari, Shtetet e Bashkuara dhe Egjipti kanë zhvilluar diplomaci nga 28 dhjetori në përpjekje për t’i shuar dallimet mes Izraelit dhe Hamasit në një kornizë për ndërprerje të armiqësive, që do ta mundësonte edhe shtimin e ndihmave humanitare në Gaza, raporton agjencia “Reuters”.

Megjithatë, palët mbeten pa pajtim për mënyrën e përfundimit të përhershëm të luftës në Gaza dhe Hamasi ka refuzuar që të lëvizë përpara derisa të zgjidhet kjo çështje, thanë burimet.

Departamenti i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë e ShBA-së, Ministria e Jashtme e Katarit dhe Shërbimi Shtetëror i Informimit i Egjiptit nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment rreth raportimit të agjencisë “Reuters”.

Ndërkohë, në operacionin e saj më të madh në një muaj, ushtria izraelite vazhdoi me rrethimin e qytetit Khan Younis, ku janë strehuar qindra mijëra palestinezë të zhvendosur nga vendbanime të tjera të Rripit të Gazës.

Tanket izraelite të martën e mbyllën rrugën nga qyteti Khan Younis drejt bregdetit të Mesdheut, duke e bllokuar rrugën e ikjes për civilët që mundohen të arrijnë në Rafah, në skajin jugor të Gazës, në kufi me Egjiptin – ku është ngjeshur më shumë se gjysma e popullsisë prej 2,3 milionë njerëzish të Gazës.

Forcat izraelite vranë më shumë se 100 militantë në perëndim të qytetit Khan Younis për 24 orë, tha zëdhënësi i ushtrisë, Daniel Hagari, të martën në mbrëmje. Izraeli thotë se ka vrarë gjithsej rreth 9 mijë militantë. Agjencia “Reuters” nuk ka munduar që ta vërtetojë këtë shifër.

Të hënën, ushtria izraelite e pësoi ditën më vdekjeprurëse për më shumë se tre muaj të konfliktit, pasi 24 ushtarë iu vranë në dy incidente, duke e çuar në 220 numrin e përgjithshëm të ushtarëve të rënë në Gaza. Hamasi e mori përgjegjësinë për një sulm me raketë, që la të vrarë 21 ushtarë izraelitë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pas vrasjes së ushtarëve paralajmëroi se lufta do të vazhdojë. “Në emër të heronjve tanë, për hir të jetëve tona, ne nuk do të ndalemi së luftuari deri në fitore absolute”- tha ai./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme