"Reuters": Irani e refuzon hyrjen në bisedime të paqes pa u ndalur fillimisht sulmet e Izraelit - NACIONALE

"Reuters": Irani e refuzon hyrjen në bisedime të paqes pa u ndalur fillimisht sulmet e Izraelit

3 javë më parë

nga NACIONALE

Irani u ka thënë dy shteteve ndërmjetëse, Katarit dhe Omanit, se nuk është i hapur për të negociuar një armëpushim me Izraelin, përderisa ende është duke u sulmuar nga ky shtet, i tha të dielën agjencisë së lajmeve “Reuters” një zyrtar i afërt me këto komunikime, përderisa dy palët kryen sulme të reja dhe e shtuan frikën për një konflikt më të gjerë.

“Iranianët i njoftuan ndërmjetësit nga Katari dhe Omani se ata do t’i ndjekin bisedimet serioze vetëm kur Irani ta ketë përfunduar kundërpërgjigjen e vet ndaj sulmeve parandaluese izraelite” – tha ky zyrtar, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së konfliktit.

Irani “bëri të qartë se nuk do të negociojë sa është nën sulm”, shtoi zyrtari, raporton agjencia “Reuters”.

Izraeli nisi një sulm të befasishëm ndaj Iranit të premten herët, duke vrarë komandantë të lartë ushtarakë e duke dëmtuar qendra bërthamore, dhe thotë se fushata do të përshkallëzohet ditëve në vijim.

Në anën tjetër, Irani është zotuar për t’i “hapur portat e ferrit” si hakmarrje në atë që është bërë ballafaqimi më i madh ndonjëherë mes dy armiqve të vjetër.

Zyrtari i tha agjencisë “Reuters” që raportimet se Irani u ka bërë apel Omanit dhe Katarit që ta angazhojnë edhe ShBA-në për të ndërmjetësuar për armëpushim dhe për t’i përtërirë bisedimet bërthamore janë të pasakta.

Ministria e Jashtme e Iranit nuk iu përgjigj një kërkese të agjencisë “Reuters” për koment. Njësoj veproi edhe Ministria e Informacionit e Omanit.

Muajve të fundit, Omani ka ndërmjetësuar në bisedimet bërthamore mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, edhe pse rundi i fundit u anulua një ditë pas fillimit të ofensivës ajrore izraelite kundër Iranit.

Katari gjithashtu ka luajtur rol edhe në lehtësimin e bisedimeve mes Izraelit e Iranit në të kaluarën, së fundi duke ndërmjetësuar një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve më 2023.

Omani dhe Katari kanë marrëdhënie të mira me Iranin dhe Shtetet e Bashkuara dhe gjithashtu kanë komunikuar drejtpërdrejt me Izraelin./Nacionale

Lajme të ngjashme