“Reuters”: Emisari i Trumpit për Ukrainën do të takohet me Lukashenkon - NACIONALE

“Reuters”: Emisari i Trumpit për Ukrainën do të takohet me Lukashenkon

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një zyrtar i lartë i administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, është duke planifikuar që të udhëtojë në Bjellorusi ditëve të ardhshme për t’u takuar me presidentin e këtij shteti, Aleksander Lukashenko, sipas katër burimeve me njohuri për çështjen, përderisa bisedimet për armëpushim mes Ukrainës e Rusisë mbesin në ngërç.

Nëse ky zyrtar, emisari për Ukrainën, Keith Kellogg, takohet me Lukashenkon, ai do të ishte zyrtari më i lartë amerikan që e viziton shtetin autoritar në disa vjet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Agjenda e saktë e takimit është e paqartë, edhe pse Kellogg-u privatisht e ka përshkruar këtë udhëtim si hap që mund ta ndihmojë fillimin e bisedimeve të paqes me qëllim të përfundimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, thanë dy prej burimeve, të cilat kërkuan të mbeten anonime, për shkak se udhëtimi nuk është bërë publik.

Departamenti i Shtetit i ShBA-së dhe ambasada bjelloruse në Uashington refuzuan që të komentonin. Kellogg-u dhe Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Planifikimi i udhëtimeve të tilla kërkon negociata të kujdesshme dhe është e mundshme që vizita të anulohet ose të modifikohet në çastin e fundit.

Në vitin 2020, gjatë mandatit të parë të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, sekretari i atëhershëm i Shtetit i ShBA-së, Mike Pompeo, e kishte vizituar Bjellorusinë në atë që atëherë ishte vizita e nivelit më të lartë nga një zyrtar amerikan në shtetin e Evropës Lindore në më shumë se 20 vjet. Udhëtimi ishte pjesë e një fushate gjatë administratës së parë të Trumpit për t’i përmirësuar marrëdhëniet me Bjellorusinë në kohën kur lidhjet mes Minskut dhe Moskës ishin në një pikë të ulët.

Pasardhësi i Trumpit, demokrati Joe Biden, e ndryshoi pozicionin e ShBA-së pas zgjedhjeve të vitit 2020 në Bjellorusi, për të cilat vëzhguesit ndërkombëtarë kishin thënë se nuk ishin as të lira, as të drejta. Protesta masive në rrugë pasuan pas zgjedhjeve, por u ballafaquan me shtypje brutale.

Shtetet e Bashkuara i pezulluan operacionet në ambasadën e tyre në Minsk në vitin 2022, pasi Uashingtonit iu bë e qartë se Bjellorusia do ta përkrahte Rusinë gjatë pushtimit të Ukrainës./Nacionale

Lajme të ngjashme