“Reuters”: Burimet thonë se Rusia ka projekt sekret për dronët e luftës në Kinë - NACIONALE

“Reuters”: Burimet thonë se Rusia ka projekt sekret për dronët e luftës në Kinë

1 javë më parë

nga NACIONALE

Rusia ka ndërtuar një program armësh në Kinë për të zhvilluar dhe prodhuar dronë sulmues me rreze të gjatë veprimi për t’i përdorur në luftën kundër Ukrainës, sipas dy burimeve nga një agjenci evropiane e inteligjencës dhe dokumenteve që i ka parë agjencia “Reuters”.

“IEMZ Kupol”, filial i kompanisë shtetërore ruse për prodhimin e armëve, “Almaz-Antey”, ka zhvilluar dhe ka testuar një model të ri të dronit të quajtur “Garpiya-3” në Kinë me ndihmën e specialistëve lokalë, sipas njërit prej dokumenteve, raport që kompania “Kupol” ia kishte dërguar Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë më herët këtë vit dhe ku përvijohej puna e saj, raporton agjencia “Reuters”.

Kompania “Kupol” i tha Ministrisë së Mbrojtjes në një përditësim pasues se ishte në gjendje që të prodhonte dronë, përfshirë modelin “Garpiya-3” në një fabrikë në Kinë në atë shkallë që armët të mund të dislokohen në “operacionin special ushtarak”Ukrainë, përshkrimi që Moska e përdor për luftën në Ukrainë.

Kompanitë “Kupol” e “Almaz-Antey” dhe Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk iu përgjigjën kërkesave për koment për këtë artikull. Ministria e Jashtme e Kinës i tha agjencisë “Reuters” se nuk ishte e vetëdijshme për një projekt të tillë, duke shtuar se vendi ka masa të rrepta kontrolli ndaj eksportit të dronëve.

Fabian Hinz nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike tha se dërgimi i dronëve nga Kina në Rusi, nëse konfirmohet, do të ishte zhvillim domethënës.

“Nëse shikoni se çfarë dihet se ka ofruar Kina deri më tani, janë kryesisht mallra me përdorim të dyfishtë – pjesë, nënpjesë, që do të mund të përdoreshin në sisteme armësh. Kjo është ajo që është raportuar deri më tani, por ajo që vërtet nuk e kemi parë, të paktën në burime të hapura, janë transferet e dokumentuara të sistemeve të plota të armëve” – tha ai.

Megjithatë, Samuel Bendett nga Qendra për Siguri të Re Amerikane me seli në Uashington tha se Pekini do të ishte ngurrues për ta shpërfaqur veten para sanksioneve ndërkombëtare për ta ndihmuar makinerinë luftarake të Moskës dhe se nevojiten më shumë të dhëna për të përcaktuar që Kina po e luan nikoqiren për prodhimin e dronëve ushtarakë rusë.

Departamenti i Shtetit i ShBA-së dhe Qeveria e Ukrainës nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Javën e kaluar, disa zyrtarë amerikanë shprehën shqetësime për atë që thanë se ishte përkrahje e makinerisë luftarake të Rusisë nga Kina, duke refuzuar që të jepnin hollësi./Nacionale

Lajme të ngjashme