“Reuters”: Bisedimet me Hamasin për armëpushim u kryen pa marrëveshje në Kajro - NACIONALE

“Reuters”: Bisedimet me Hamasin për armëpushim u kryen pa marrëveshje në Kajro

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Bisedimet për armëpushim mes Hamasit dhe ndërmjetësve u ndërprenë të martën në Kajro pa ndonjë marrëveshje, kur kanë mbetur edhe pak ditë për ndërprerjen e luftimeve me kohë me rastin e fillimit të Ramazanit, raportoi agjencia “Reuters”.

Zyrtari i lartë i Hamasit, Basem Naim, i tha agjencisë “Reuters” se grupi e kishte paraqitur propozimin e vet për një marrëveshje armëpushimi para ndërmjetësve gjatë bisedimeve dyditore dhe se tani po priste një përgjigje nga Izraeli, që nuk mori pjesë në këtë rund të bisedimeve.

“Netanyahu (kryeministri i Izraelit) nuk dëshiron që të arrijë një marrëveshje dhe topi tani është në fushën e amerikanëve” për ta shtyrë atë për një marrëveshje, tha zyrtari i Hamasit.

Izraeli ka refuzuar që t’i komentojë publikisht bisedimet në Kajro.

Një burim i tha agjencisë “Reuters” më herët se Izraeli nuk po merrte pjesë në bisedime, sepse Hamasi e kishte refuzuar kërkesën e tij për të ofruar një listë me emrat e të gjitha pengjeve që janë ende gjallë. Naim tha se kjo është e pamundshme pa një armëpushim së pari, sepse pengjet janë të shpërndara nëpër zonën e luftës dhe po mbahen nga grupe të ndryshme.

Bisedimet në Kajro ishin përshkruar si përpjekje përfundimtare për të arritur njër armëpushim 40-ditor, gjatë të cilit dhjetëra pengje do të liroheshin dhe më shumë ndihma do të dërgoheshin në Gaza për të shmangur vdekje nga uria, para Ramazanit, që nis në fillim të javës së ardhshme.

Burimet egjiptiane të sigurisë thanë të hënën se ishin ende në kontakt me izraelitët për ta lejuar vazhdimin e bisedimeve pa qenë i pranishëm një delegacion izraelit.

Uashingtoni, që është edhe aleati më i ngushtë i Izraelit, edhe sponsorizues i bisedimeve për armëpushim, ka thënë se një marrëveshje e miratuar nga izraelitët tashmë është në tavolinë dhe i përket Hamasit që ta pranojë atë. Megjithatë, Hamasi e përgenjeshtron këtë përshkrim si përpjekje për ta hequr fajin nga Izraeli, nëse bisedimet përfundojnë pa marrëveshje.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu i kanë bërë thirrje Izraelit që të bëjë më shumë për ta shmangur katastrofën humanitare në Gaza, ku mbi 30 mijë njerëz janë vrarë nga operacionet izraelite, pasi Hamasi kishte kryer sulme me 1.200 të vrarë në tetor të vitit të kaluar në Izrael.

Lajme të ngjashme