"Reuters": Bideni po përgatit pako armësh prej 725 milionë dollarësh për Ukrainën - NACIONALE

"Reuters": Bideni po përgatit pako armësh prej 725 milionë dollarësh për Ukrainën

1 javë më parë

nga NACIONALE

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, është duke përgatitur një pako armësh me vlerë të 725 milionë dollarëve për Ukrainën, thanë të mërkurën dy zyrtarë amerikanë, përderisa presidenti në largim po synon që ta fuqizojë qeverinë ukrainase para se të largohet nga pushteti në janar.

Sipas një zyrtari të afërt me këtë plan, administrate e Bidenit planifikon që të ofrojë një gamë të armëve kundër tankeve nga rezervat e ShBA-së për t’i goditur trupat ruse që po avancojnë, përfshirë minat tokësore, dronët, raketat “Stinger” dhe municionin për sistemin HIMARS, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Pritet që në pako të përfshihet edhe municioni thërrmues, që zakonisht gjendet në sistemin GMLRS, që shkrepet nga raketahedhësit e HIMARS-it, tha një zyrtar.

Përmbajtja dhe madhësia e pakos mund të ndryshojnë ditëve të ardhshme para nënshkrimit të pritshëm të Bidenit.

Kjo pako shënon shtim të përdorimit të Aktit Presidencial të Tërheqjes, i cili i lejon autoritetet amerikane që të tërheqin armë nga rezervat e tanishme për të ndihmuar aleatë në raste urgjente.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë eksportuar mina tokësore me dekada dhe përdorimi i tyre është kundërthënës për shkak të dëmit të mundshëm ndaj civilëve. Edhe pse mbi 160 shtete kanë nënshkruar një traktat me të cilin ndalohet përdorimi i tyre, Kievi ka qenë duke kërkuar armë të tilla që nga fillimi i pushtimit të plotë rus dhe forcat ruse i kanë përdorur ato në vijat e frontit.

Sipas analistëve dhe blogerëve të luftës, forcat ruse tani për tani janë duke avancuar në Ukrainë me ritmin më të shpejtë që nga ditët e hershme të luftës, duke kapur një zonë sa gjysma e Londrës gjatë muajit të kaluar.

Lajme të ngjashme