“Reuters”: BE-ja po përgatitet për t’i vënë taksa drithit të Rusisë dhe Bjellorusisë - NACIONALE

“Reuters”: BE-ja po përgatitet për t’i vënë taksa drithit të Rusisë dhe Bjellorusisë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Bashkimi Evropian është duke u përgatitur që t’u vendosë taksa importeve të drithit nga Rusia dhe Bjellorusia për t’i qetësuar bujqit dhe disa shtete anëtare, thanë të martën disa zyrtarë të BE-së të afërt me këto plane.

Gazeta “Financial Times” raportoi më herët se Komisioni Evropian do të propozojë një taksë prej 95 eurosh për ton ndaj drithit që importohet nga Rusia dhe Bjellorusia, ndërsa taksë prej 50 për qind ndaj farave vajore dhe produkteve të nxjerra prej tyre, raporton agjencia “Reuters”.

Një zyrtar i BE-së tha se këto shifra janë “pothuajse të sakta” edhe pse ato ende nuk ishin përcaktuar përfundimisht. Një zyrtar tjetër tha se masa ka gjasë që të jetë në formën e një takse, sepse masat tregtare kërkojnë vetëm mbështetje shumicë të BE-së, ndryshe nga sanksionet, për miratimin e të cilave nevojitet përkrahje e njëzëshme.

Taksat do të vlenin për drithin e caktuar për përdorim në BE, bllok me 27 shtete, dhe nuk do të vlenin ndaj drithit që kalon vetëm transit nëpër territorin e Bashkimit Evropian e që përfundon në shtete të tjera, thanë burimet.

Kjo lëvizje vjen në kohën kur shumë bujq në mbarë Bashkimin Evropian po bëjnë thirrje për ndryshime të kufizimeve që u janë vendosur nga plani i BE-së “Marrëveshja e Gjelbër” për t’i luftuar ndryshimet klimatike dhe për rivendosjen e taksave doganore ndaj importeve të prodhimeve bujqësore nga Ukraina, që ishin hequr pas fillimit të pushtimit rus më 2022.

Bujqit nga Polonia, Hungaria e Sllovakia fqinje, të gjitha anëtare të BE-së, thonë se heqja e taksave për drithin ukrainas ka shkaktuar ulje të çmimit të drithit të tyre. Ukraina nuk është anëtare e BE-së.

Si një pjesë e madhe e Evropës, Polonia është përfshirë nga protestat javët e fundit, përderisa bujqit po i kundërshtojnë rregulloret mjedisore të BE-së.

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka bërë thirrje që BE-ja t’i ndalojë importet e prodhimeve bujqësore nga Rusia dhe Bjellorusia. Thirrjen e njëjtë e bënë shumë ligjvënës të BE-së gjatë një debati për këtë temë javën e kaluar në Parlamentin Evropian.

Lajme të ngjashme