Rebelët në Kongo shpallin armëpushim për “arsye humanitare” - NACIONALE

Rebelët në Kongo shpallin armëpushim për “arsye humanitare”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Aleanca e grupeve rebele në pjesën lindore të Republikës Demokratike të Kongos ka shpallur një armëpushim humanitar që fillon nga e marta.

Në një deklaratë, grupet rebele, ku përfshihet edhe grupi i përkrahur nga Ruanda, M23, përmendën “arsye humanitare” për shpalljen e armëpushimit, pasi kapën territor në pjesët lindore të shtetit të madh afrikan, raporton televizioni BBC.

Kombet e Bashkuara thonë se të paktën 900 njerëz janë vrarë dhe 2.880 të tjerë janë lënduar nga luftimet e zhvilluara rishtazi në qytetin Goma dhe përreth tij, pasi vendbanimi u mor nën kontroll nga rebelët. Goma është qyteti më i madh në pjesën lindore të Kongos.

Grupi G7 dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar ofensivën e rebelëve, duke e cilësuar si shkelje flagrante të sovranitetit të Republikës Demokratike të Kongos.

Aleanca e grupeve rebele – e njohur si Aleanca e Lumit Kongo – e ka akuzuar ushtrinë kongoleze për vrasje të njerëzve duke përdorur aeroplanë për t’i bombarduar zonat që kontrollohen nga rebelët.

Më tej, aleanca e rebelëve tha se nuk synon që të marrë nën kontroll territore të reja, edhe pse kishte deklaruar ndryshe javën e kaluar, dhe se do t’i mbajë pozicionet e veta.

“Ne e përsërisim zotimin tonë për mbrojtjen e popullsisë civile dhe pozicioneve tona” – thuhet në deklaratën e aleancës.

Luftimet në rajon e kanë shkaktuar zhvendosjen e qindra mijëra njerëzve në tri vitet e fundit. Nga fillimi i këtij viti, më shumë se 400 mijë njerëz janë detyruar që të largohen nga shtëpitë e tyre, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatë.

Lajme të ngjashme