Rebelët e Sirisë e kapin qytetin strategjik, Hama - NACIONALE

Rebelët e Sirisë e kapin qytetin strategjik, Hama

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryengritësit islamikë e kanë kapur qytetin Hama të Sirisë në një betejë për të marrë nën kontroll një zonë jetike rrugës për në Damask, duke e shënuar sfidën më të re ndaj kontrollit të presidentit Bashar al-Assad.

Militantët e udhëhequr nga grupi Hayat Tahrir al-Sham (HTS) hynë në qytet nga pjesa lindore të enjten, pasi e kishin rrethuar atë gjatë pesë ditëve luftimesh me forcat besnike ndaj presidentit, raporton gazeta “The Guardian”.

Në video që po qarkullojnë në internet lihet të kuptohet se kryengritësit kishin kapur një aeroport ushtarak afër qytetit Hama dhe kishin liruar të burgosur që po mbaheshin në një objekt të frikshëm shtetëror të ndalimit.

Me rënien e errësirës, përfaqësuesit e militantëve thanë se ata e kishin “vendosur plotësisht kontrollin mbi qytetin Hama” dhe u bënë thirrje policëve dhe milicive në qytet që të dezertonin.

“Kjo fitore do të jetë pa hakmarrje dhe e mëshirshme” – tha udhëheqësi i rebelëve, Abu Mohammed al-Jolani, në një porosi për banorët e qytetit.

Ministria e Mbrojtjes e Sirisë fillimisht mohoi se rebelët kishin hyrë në Hama, duke i quajtur “të pathyeshme” vijat e saj të mbrojtjes. Megjithatë, pasi luftimet u shpeshtuan dhe iu afruan qendrës së qytetit, ushtria siriane tha se ishte tërhequr, duke i ridislokuar forcat e veta “për ta ruajtur jetën e civilëve dhe për të mos e përfshirë popullin e qytetin Hama në këto beteja”.

I shtrirë buzë një autostrade që kalon nëpër pjesën perëndimore të Sirisë drejt kryeqytetit Damask, Hama ishte vendi i kryengritjeve masive kundër Assadit më 2011, dhe pastaj i betejave të ashpra, kur forcat opozitare ishin përpjekur, por kishin dështuar që ta merrnin kontrollin e qytetit në luftën civile që pasoi.

Hama është gjithashtu vendi i një masakre famëkeqe të vitit 1982, kur forcat besnike ndaj presidentit të atëhershëm, Hafez al-Assad, e kishin rrethuar qytezën për të parandaluar një kryengritje të udhëhequr nga kundërshtarët myslimanë sunitë ndaj pushtetit të tij./Nacionale

Lajme të ngjashme