Rebelët e lidhur me ISIS-in vranë 89 civilë në Kongo, përfshirë gra e fëmijë, thotë misioni i OKB-së - NACIONALE

Rebelët e lidhur me ISIS-in vranë 89 civilë në Kongo, përfshirë gra e fëmijë, thotë misioni i OKB-së

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Rebelët e lidhur me ISIS-in kanë vrarë 89 civilë në disa sulme që i kryen në territorin lindor Lubero të Republikës Demokratike të Kongos, tha të premten misioni paqeruajtës i OKB-së në këtë shtet afrikan, i njohur si MONUSCO.

Sulmet u kryen nga luftëtarët e Forcave Demokratike Aleate (ADF) në disa lokalitete të provincës së Kivusë Veriore mes datave 13 e 19 nëntor dhe në mesin e 89 të vrarëve ishin të paktën 20 gra dhe një numër i papërcaktuar i fëmijëve, tha misioni MONUSCO në një deklaratë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në njërin prej sulmeve, sipas këtij misioni, rebelët sulmuan një qendër shëndetësore të menaxhuar nga Kisha Katolike në Byambwe, duke vrarë të paktën 17 njerëz, përfshirë gra që kishin shkuar atje për ta marrë kujdesin e maternitetit, dhe ua vunë flakën katër reparteve ku kishte pacientë.

Më tej, misioni i OKB-së tha se në mesin e shkeljeve të tjera të kryera nga rebelët ishin rrëmbimi i njerëzve dhe plaçkitja e furnizimeve mjekësore.

“MONUSCO u bën thirrje autoriteteve kongoleze që të nisin shpejt hetime të pavarura dhe të besueshme për identifikimin e autorëve dhe bashkëfajtorëve të këtyre masakrave dhe t’i sjellin ata para drejtësisë” – thuhet në deklaratë.

Zyrtarët lokalë i thanë agjencisë “Reuters” muajin e kaluar se rebelët e dyshuar të ADF-së kishin vrarë 19 civilë në një sulm të kryer natë në fshatin Mukondo të provincës së Kivusë Veriore.

Në shtator, ADF-ja e mori përgjegjësinë për njërin prej sulmeve më vdekjeprurëse në muajt e fundit, kur u vranë më shumë se 60 civilë në një funeral në lindje të Kongos./Nacionale

Lajme të ngjashme