Realiteti i zymtë, hapen varreza masive për viktimat e luftës në Ukrainë - NACIONALE

Realiteti i zymtë, hapen varreza masive për viktimat e luftës në Ukrainë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Bombardimet ruse të disa vendeve në Ukrainë janë aq intensive sa qytezat dhe qytetet po detyrohen të varrosin viktimat pa ceremoni në varre masive.

Ky realitet i zymtë i luftës duket më së shumti në Mariupol, një qytet port kyç i shkatërruar nga granatimet e vazhdueshme, me shumë varreza të gërmuara në shpejtësi gjatë dy javëve të fundit.

"Ne nuk mund t'i varrosim viktimat në varre private, pasi ato janë jashtë qytetit dhe perimetri kontrollohet nga trupat ruse", kështu është shprehur për BBC-në nënkryetari i bashkisë së Mariupolit Serhiy Orlov.

Orlov tha se vendi ku po varrosen viktimat është një varrezë e vjetër që tani është rihapur

Të dielën, këshilli i qytetit ka njoftuar se numri i viktimave të civilëve ishte rritur mbi 2,100. Ndërsa, pavarësisht përpjekjeve për të hapur një rrugë të sigurt daljeje, granatimet e rënda ruse kanë penguar çdo evakuim masiv nga Mariupoli.

Orlov nuk mund të jepte një numër total për civilët e vdekur që janë varrosur në varre masive, por njoftoi për 67 trupa që ndodheshin në një vend,

"Disa nuk mund t'i identifikojmë, por disa kishin dokumente."

Ai tha se mijëra banorë janë fshehur në bodrume, duke treguar se ka raste që njerëzit po varrosin familjarët e tyre privatisht, në oborre dhe kopshte.

Orlov po ashtu tha se trupat në rrugët e qytetit të goditur po mblidhen nga pastruesit e rrugëve dhe ekipet e riparimit të rrugëve, pasi që shërbimet komunale ishin shembur.

"Gjatë mbledhjes së trupave u vranë disa njerëz” tha ai duke shtuar se tash e 11 ditë, nuk kanë as rrymë, as ngrohje, kanalizime, e as ujë e ushqim.

Ndërsa, deputetja lokale Mykhailyna Skoryk-Shkarivska, njoftoi për një varr masiv të hapur pranë një kishe në qytetin e Bucha-s, cili përmbante më shumë se 60 trupa dhe ndodhej 400 milje në veriperëndim të Kievit.

Video e varrimit u postua në Facebook nga një mjek, ndërsa Skoryk-Shkarivska tha për BBC-në se një "shërbim ritual" u krye në spital përpara varrimit, duke bërë të ditur se jo të gjithë personat ishin identifikuar.

Ajo shtoi se trupat ruse pushtuan spitalin të shtunën dhe u thanë mjekëve të largoheshin.

Kthimi i varrezave masive është një tronditje për ukrainasit, pasi shumë prej tyre kanë kujtime të hidhura familjare të Luftës së Dytë Botërore, kur hebrenjtë dhe partizanët sovjetikë u vranë nga nazistët.

Në Ukrainën veriore, qytetet Kharkiv, Chernihiv dhe Sumy janë të rrethuara nga trupat ruse me shumë civilë të vrarë nga granatimet e pamëshirshme.

Më 6 mars, Oleksandra Matviichuk, një aktiviste e lirive civile, postoi në Twitter një foto të arkivoleve në një llogore, shoqëruar me mesazhin: "Kështu, civilët e vrarë në bombardimet ruse të Chernihiv janë varrosur në llogore. Meqenëse varrezat kryesore të qytetit në Yatsevo janë nën granatimet e vazhdueshme nga pushtuesit rusë, viktimat janë varrosur në pyllin Yalivshchyna”.

Ndërsa, Oleksandr Lomako, sekretar i këshillit të qytetit të Chernihiv, tha për BBC-në se viktimat e sulmeve ajrore ruse dhe granatimeve po varroseshin në një varrezë të përkohshme. Ai konfirmoi se varrezat kryesore të qytetit ishin tani të paarritshme, me trupat ruse që e kanë rrethuar vendin nga tre anët.

Për ata, të dashurit e të cilëve kanë vuajtur efektet e rrethimit dhe granatimeve nga duart e forcave pushtuese, varrimi në varre të improvizuara pa dyshim se do të ndihet si poshtërimi i fundit që u është bërë./Nacionale/

Lajme të ngjashme