Rastësi apo pasojë: Pak muaj pas takimit me Kurtin, ministri gjerman përzihet në zgjedhjet e Francës
Në fillim të shkurtit të këtij viti ishte mysafir në Prishtinë, ku ishte takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Më pak se pesë muaj më vonë, ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, bëri një veprim që na sjell ndër mend një shprehi të kryetarit të Vetëvendosjes – ndërhyrjen në zgjedhjet e vendeve të tjera – të paktën me deklarata.
Gjatë një vizite në Paris, gjermani Pistorius tha se historia evropiane tregon që nacionalizmi nuk u ofron zgjidhje problemeve dhe se ai do të ishte i lumtur, nëse forcat liberale do të fitonin në zgjedhjet e Francës, që do të mbahen pas disa ditëve, raporton agjencia “Reuters”.
“Mund të them për pjesën time dhe për pikëpamjen e Gjermanisë se nacionalizmi kurrë nuk ka qenë zgjidhje për probleme. Ky është një mësim nga historia evropiane që nuk mund të shpërfillet” – tha Pistorius në një konferencë të përbashkët me homologët nga Franca dhe Polonia.
Më 5 shkurt, Qeveria e Kosovës për takimin e Kurtit me Pistoriusin kishte shkruar: “Duke e mirëpritur atë në vizitën e tij të parë në Kosovë, kryeministri Kurti, në fillim të takimit, e shprehu mirënjohjen e tij dhe të popullit dhe të shtetit të Kosovës për rolin historik dhe të pazëvendësueshëm të Gjermanisë në 25 vitet e fundit, nga çlirimi, te pavarësia dhe shtetndërtimi, dhe asistenca e vazhdueshme në integrimin evropian dhe euro-atlantik. Ai e veçoi rolin e ushtarëve dhe oficerëve gjermanë në Kosovë brenda KFOR-it, të cilët gëzojnë popullaritet në mesin e qytetarëve që janë mirënjohës për shërbimin e tyre.”
Kryeministri Kurti dallohet me prirjen e tij për të ndërhyrë në zgjedhjet e vendeve të tjera, sidomos në rajon. Në forma të ndryshme, ai ka ndërhyrë në zgjedhjet në Shqipëri, Maqedoni të Veriut e Serbi. Së fundi, ai u tregoi bashkatdhetarëve për kë të votojnë edhe në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, por blloku i socialdemokratëve nuk shënoi rezultat të kënaqshëm.