Raportohet se vajza shumë të vogla janë përdhunuar në grup nga paramilitarët në Sudan - NACIONALE

Raportohet se vajza shumë të vogla janë përdhunuar në grup nga paramilitarët në Sudan

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Burra të armatosur nga një grup militant famëkeq ka bredhur nëpër kryeqytetin e Sudanit duke përdhunuar në grup gra e vajza “të panumërta”, disa vetëm 9 vjeçe, sipas një hulumtimi që e dokumenton praninë shokuese të dhunës seksuale në Khartoum gjatë luftës civile në shtetin afrikan.

Disa prej sulmeve nga anëtarët e Forcave të Reagimit të Shpejtë (RSF) ishin aq brutale, saqë gratë dhe vajzat vdiqën “për shkak të dhunës së ndërlidhur me aktin e përdhunimit”, sipas një hulumtimi të organizatës “Human Rights Watch” (HRW), raporton gazeta “The Guardian”.

Rrëfimet nga gra e vajza në zonat e Khartoumit që ishin marrë nga RSF-ja tregojnë se shumë prej tyre ishin rrëmbyer, torturuar e burgosur si skllave sek*i. Nënat ishin përdhunuar gjatë përpjekjeve për t’i mbrojtur vajzat e tyre.

Disa vajza iu thanë ushtarëve të RSF-së se ato ishin të martuara dhe jo të virgjëra në përpjekje për ta shmangur sulmin, thuhet më tej në raportin e organizatës së njohur për të drejtat e njeriut.

“RSF-ja ka përdhunuar, ka përdhunuar në grup dhe ka detyruar në martesë gra e vajza të panumërta në zona banimi në kryeqytetin e Sudanit” – tha Laetitia Bader, drejtoreshë e HRW-së për Bririn e Afrikës.

Pak pas shpërthimit të luftës civile mes RSF-së dhe ushtrisë sudaneze para 15 muajve, RSF-ja vërshoi pjesë të kryeqytetit dhe qyteteve simotra të tij, Omdurman dhe Khartoumi Verior.

Qasja në kryeqytet nga ajo kohë është penguar nga luftimet, por hulumtuesit e HRW-së intervistuan 42 ofrues të kujdesit, punëtorë socialë, avokatë dhe vullnetarë urgjentë në Khartoum për të marrë vesh se si ishin trajtuar gratë dhe vajzat.

U dokumentuan të paktën 262 të mbijetuara të dhunës seksuale. Ato ishin mes moshave 9 e 60-vjeçare.

Në disa raste, vullnetarët urgjentë ishin dhunuar vetë nga luftëtarët e RSF-së, përderisa mundoheshin që t’i ndihmonin të mbijetuarat e dhunës seksuale, thuhet në raportin e organizatës.

Të paktën katër gra dhe vajza vdiqën nga lëndimet, pasi ishin përdhunuar, ndërsa shumë të tjera janë dërguar në spitale, thuhet në raport. Një adoleshente u qëllua me plumba në kofshë, pasi ishte përdhunuar nga një grup i ushtarëve të RSF-së dhe vdiq në spital “nga gjakderdhja e rëndë e shkaktuar nga plumbat”.

Zonja Bader iu bëri thirrje Unionit Afrikan dhe Kombeve të Bashkuara që të dislokojnë një forcë të mbrojtjes civile për të parandaluar raste të tjera të krimeve të luftës e krimeve kundër njerëzimit në të ardhmen./Nacionale

Lajme të ngjashme