Raportohet se Ukraina po përgatit kundërsulm për ta marrë Khersonin - NACIONALE

Raportohet se Ukraina po përgatit kundërsulm për ta marrë Khersonin

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Fushata e Ukrainës për ta marrë nën kontroll rajonin e pushtuar nga rusët, Kherson, është duke fituar momentum, thonë burimet ushtarake perëndimore.

Një urë kyçe në Kherson tashmë është jashtë përdorimit pas goditjes nga forcat ukrainase me raketa të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara.

Zyrtarët britanikë të mbrojtjes thonë se qyteti tashmë është praktikisht i shkëputur nga territoret e tjera të pushtuara.

I shtrirë në zonë strategjike, në perëndim të Lumit Dnipro, Khersoni ishte qyteti i parë që kishte rënë në duart e forcave ruse.

Forcat ukrainase e sulmuan të martën urën “Antonivskiy” në Kherson duke e përdorur sistemin raketor amerikan, HIMARS, që, sipas burimeve ushtarake perëndimore, e ka bërë urën tërësisht të papërdorshme.

Moska varej nga kjo urë dhe një tjetër për t’i rifurnizuar trupat e vendosura në perëndim të lumit dhe tash ushtarët rrezikohen që të izolohen nga pjesa tjetër e forcave pushtuese.

Në përditësimin e ri të inteligjencës, zyrtarët britanikë thanë se kundërsulmi ukrainas në rajon është duke fituar momentum, duke shtuar se forcat e Kievit, me gjasë, kanë krijuar një bastion në jug të Lumit Ingulets, që e formon kufirin verior të Khersonit të pushtuar nga rusët.

Moska tash është duke e lëvizur numrin maksimal të trupave në drejtimin e Khersonit, tha të mërkurën në mbrëmje Oleksiy Danilov, sekretar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Ukrainë.

Në Donetsk, forcat ruse thanë se e kanë kapur termocentralin e dytë më të madh të Ukrainës, shkruan "BBC".

Në Kherson, zyrtarët e vendosur nga Rusia konfirmuan se një sulm ukrainas me artileri e ka dëmtuar seriozisht urën “Antonivskiy”, duke i detyruar autoritetet që ta mbyllin atë për trafik.

Sipas burimeve ushtarake perëndimore, sulmi është pjesë e përpjekjeve të Ukrainës për kundërsulme me qëllim të izolimit të trupave ruse, ndërsa qëllimi përfundimtar është marrja e tërë rajonit.

Në adresimin e tij të mbrëmjes, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u zotua se Ukraina do ta rindërtojë urën “Antonivskiy” dhe kalimet e tjera në rajonin Kherson.

“Ne po bëjmë gjithçka për t’u siguruar që forcat pushtuese të mos kenë asnjë mundësi logjistike në vend”, tha ai.

Rusia e mori Khersonin me relativisht pak rezistencë në ditët e para të luftës. Dështimi i shërbimit ukrainas të sigurisë për t’i shkatërruar pikëkalimet mbi Lumin Dnipro në atë kohë besohet që e solli javën e kaluar shkarkimin e drejtorit të agjencisë, Ivan Bakanov, nga presidenti Zelensky./Nacionale

Lajme të ngjashme