Raportohet se tanku i ri rus, “T-14 Armata”, ka debutuar në Ukrainë - NACIONALE

Raportohet se tanku i ri rus, “T-14 Armata”, ka debutuar në Ukrainë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Rusia ka filluar që t’i përdorë tanket e reja të betejës, “T-14 Armata”, për të shtënë ndaj pozicioneve ukrainase, por nuk i ka përfshirë ende ato në operacione për sulme të drejtpërdrejta, raportoi të martën agjencia shtetërore ruse e lajmeve, RIA, duke cituar një burim të afërt me këtë çështje.

Kjo agjenci tha se tanket e reja janë pajisur me mbrojtje të posaçme në pjesët anësore dhe ekuipazhi i është nënshtruar “bashkërendimit luftarak” në qendrat e trajnimeve në Ukrainë, raporton agjencia “Reuters”.

Këto tanke mund të lëvizin me shpejtësi maksimale prej 80 kilometrash në orë, raporton RIA.

Në janar, inteligjenca ushtarake britanike raportoi se forcat ruse në Ukrainë po ngurronin që ta pranonin grupin e parë të këtyre tankeve për shkak të “gjendjes së dobët” të tyre.

Britanikët thanë se çfarëdo dislokimi i tankeve T-14 do të ishte, me gjasë, vendim me rrezik të lartë për Rusinë dhe do të merrej kryesisht për qëllime të propagandës.

“Prodhimi ndoshta është në dhjetëshet e ulëta, ndërsa ka pak gjasa që komandantët t’u besojnë këtyre mjeteve në luftime”- tha ushtria britanike.

“Njëmbëdhjetë vjet në zhvillim, programi është ballafaquar me vonesa, zvogëlim të madhësisë së planifikuar të grumbullit dhe me raportime për probleme në prodhim”- thonë britanikët.

Kremlini kishte urdhëruar që të prodhoheshin 2.300 tanke të tilla deri më 2020, por afati më pas u zgjat për vitin 2025, sipas raportimeve të medieve ruse.

Agjencia ruse e lajmeve, “Interfax”, në dhjetorin e vitit 2021 kishte raportuar se prodhuesi shtetëror rus, “Rostec”, e kishte nisur prodhimin e 40 tankeve, të cilat pritej të ishin të gatshme pas vitit 2023.

Lajme të ngjashme