Raportohet se Siria ia ka kërkuar Rusisë dorëzimin e Bashar al-Assadit - NACIONALE

Raportohet se Siria ia ka kërkuar Rusisë dorëzimin e Bashar al-Assadit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rusia tha të mërkurën se zhvilloi diskutime “të hapura” me udhëheqësin e ri de fakto të Sirisë, Ahmed al-Sharaa, përderisa po mundohet që t’i mbajë nën kontroll dy bazat ushtarake që i ka në këtë shtet, por refuzoi që të tregonte se çfarë kërkoi ai në këmbim.

Një burim sirian i afërt me diskutimet i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se udhëheqësi i ri kishte kërkuar që Moska ta dorëzojë ish-presidentin sirian, Bashar al-Assad, i cili iku në Rusi pas rrëzimit nga pushteti nga rebelët në dhjetor.

Agjencia siriane e lajmeve, “Sana”, raportoi se Damasku gjithashtu dëshiron që Rusia, e cila e kishte mbështetur Assadin gjatë luftës civile, ta rindërtojë besimin përmes “masave konkrete si kompensimi, rindërtimi dhe rimëkëmbja”.

Kur iu kërkua të konfirmonte nëse Rusisë i janë kërkuar dorëzimi i Assadit dhe pagesa e dëmshpërblimeve, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, refuzoi që të komentonte.

Rusia, trupat dhe forca ajrore e të cilës e kishin përkrahur Assadin me vite kundër rebelëve sirianë, po synon që t’i mbajë bazën detare në Tartous dhe bazën ajrore në Hmeimim afër qytetit bregdetar, Latakia. Humbja e tyre do të nënkuptonte një goditje serioze ndaj aftësisë për ta shtrirë autoritetin e vet në rajon.

Administrata e re siriane tha pas bisedimeve të së martës me delegacionin rus të udhëhequr nga zëvendësministri i Jashtëm, Mikhail Bogdanov, se kishte “theksuar se rivendosja e marrëdhënieve duhet t’i adresojë gabimet e së kaluarës, ta respektojë vullnetin e popullit sirian dhe t’u shërbejë interesave të tij”.

Megjithatë, burimi sirian i tha agjencisë “Reuters” se rusët nuk ishin të gatshëm për të pranuar gabime të tilla dhe se marrëveshja e vetme e arritur ishte që diskutimet të vazhdonin.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha se kishte një “diskutim të hapur për tërë vargun e çështjeve” dhe se të dyja palët do të ndjekin kontakte të mëtejme me qëllim të arritjes së “marrëveshjeve përkatëse”, pa i përmendur drejtpërdrejt dy bazat ruse./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme